Sport

Ballkani dhe Drita nuk e shfrytëzuan disfatën e Prishtinës

Descriptive Text

Barazimi pa gola i Ballkanit dhe Dritës të dielën në Suharekë i ka shkuar për shtati skuadrës së Prishtinës, që një ditë më herët pësoi në udhëtim nga Feronikeli (2:0), për t’i dhënë fund serisë prej 18 ndeshjeve pa humbje. E këtë e ka pranuar edhe mbrojtësi i djathtë i Prishtinës, Besnik Krasniqi, që ka insistuar se vetëm barazimi i Ballkanit dhe Dritës i ka mbajtur në lojë për titullin e kampionit. Ai ka thënë se tani distanca e pikëve në tabelë nuk është e madhe dhe se Prishtina do të luftojë deri në fund për ta fituar titullin e kampionit, që i mungon prej vitit 2013. Aktualisht, Prishtina është e treta në tabelë me 50 pikë, dy më pak se Ballkani që është i dyti dhe katër më pak se Drita që është lidere pas 25 xhirove të zhvilluara.

“Mendoj se barazimi ndërmjet Ballkanit dhe Dritës ka qenë rezultati që më së shumti na ka konvenuar dhe ashtu doli. Kështu që humbja ndaj Feronikelit nuk na la larg vendit të parë dhe tani duhet të vazhdojmë me paraqitje të mira dhe t’i marrim pikët ndeshje pas ndeshjeje, për ta arritur synimin tonë”, ka thënë Krasniqi të dielën për KOHËN. “Ka edhe shumë ndeshje deri në fund dhe duhet të jemi maksimalisht të fokusuar”.

Derbi i luajtur në Suharekë u karakterizua me pak raste shënimi, pasi të dyja ekipet ishin të përqendruara maksimalisht dhe nuk lejuan gabime. Në nëntë minutat e fundit, Ballkani luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi u përjashtua mbrojtësi Egzon Sinani, pas dy kartonëve të verdhë. Ballkani kishte mundësi të mirë që me fitore ndaj Dritës të kalonte në pozitën e parë, gjë që nuk e arriti. Ndërsa, Drita kishte rast të shkëputej edhe më shumë në krye të tabelës, por as ajo nuk e shfrytëzoi këtë. E mundësinë e humbur të Ballkanit për ta rrëmbyer kreun e tabelës e ka pranuar edhe sulmuesi Mevlan Zeka.

“Ishte një ndeshje ku u luajt me kujdes të madh. Ne kishim hyrë për të fituar, por nuk ia dolëm pasi Drita u mbrojt mjaft mirë. Ishte një mundësi e mirë që të kalojmë në vend të parë, por ende është herët. Kampionati është i gjatë dhe ne do ta japim maksimumin në çdo ndeshje, për t’i arritur synimet që ka klubi’, tha Zeka për KOHËN.

Trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi, shtoi se derbi i kësaj xhiroje ishte i zbehtë. Sipas tij, Drita nuk kishte udhëtuar në Suharekë për fitore, por për një pikë, të cilën edhe e mori.

“Ishte një lojë me ritëm të ulët, kjo me meritë të kundërshtarit, pasi kishte ardhur për barazim dhe ia doli. Nuk na lejoi ta luajmë lojë tonë”, ka thënë Shkëmbi.

Ndërkohë, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e vlerësoi epilog real barazimin pa gola ndaj Ballkanit. Ai insistoi se e rëndësishme për ekipin e tij ishte që të mos pësonte humbje në derbi, por ta mbante kreun e tabelës.

“Epilogu i ndeshjes ishte real. Kishim rastet tona, gjithashtu edhe kundërshtari, mendoj se rezultati është po ai që është dashur të jetë. Ne kemi mundur të shënonim, por edhe kundërshtari kishte mundësi. E rëndësishme ishte që të mos e humbnim këtë ndeshje”, theksoi pas ndeshjes Nuhiu.

Drita me këtë barazim e ndali serinë e tri fitoreve rresht, derisa Ballkani kishte dy fitore të njëpasnjëshme. Në xhiron e ardhshme, Ballkani është mysafir i Trepçës ’89, derisa kampionia në fuqi, Drita, e pret Drenicën.

Të dielën janë zhvilluar edhe dy ndeshje të tjera të kësaj xhiroje. Gjilani e ka mposhtur Trepçën ‘89 me rezultat 2:1. Kjo ishte fitorja e parë në stinorin pranveror për gjilanasit pas dy humbjeve dhe katër barazimeve. Te Gjilani me fitore debutoi trajneri Ismet Munishi, i cili e zëvendësoi të premten Bylbyl Sokolin, që dha dorëheqje pas rezultateve të dobëta. Të dy golat për Gjilanin në triumfin ndaj 89-shit i realizoi Gerhard Progni, që barti edhe shiritin e kapitenit. Kurse, për ekipin mitrovicas, golin e vetëm e realizoi Sadat Berisha.

“Kualiteti i skuadrës nuk përkon me pikët që i kemi dhe me ecurinë. Më ka interesuar që ta hap një seri të re dhe kjo ishte fitore e futbollistëve. Të gjitha ekipet e tjera do ta kenë problem kundër ekipit tonë në vazhdim”, theksoi Munishi pas ndeshjes.

Dueli tjetër i luajtur në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ndërmjet Drenicës dhe Arbërisë, u mbyll pa fitues – 1:1. Për Drenicën shënoi Eglentin Gjoni (31’), kurse për lipjanasit realizoi Çlirim Kashtanjeva (81’). Ky ishte barazimi i katërt për Drenicën në pranverë, që mbetet në pozitën e parafundit në tabelë me 26 pikë, një më pak se Arbëria që renditet e teta.

*****

Java XXV

Feronikeli – Prishtina 2:0

(M. Simonovski – 45, 76)

Besa – Llapi 1:4

(Tahiri 26’– Sadriu 2’, Hoti 20’, Veliu pen 59’, A. Ramadani 81’)

Drenica – Arbëria 1:1

(E. Gjoni 31’ – Ç. Kashtanjeva 81’)

Gjilani – Trepça ’89 2:1

(Progni 3’, 48’ – S. Berisha 83’)

Ballkani – Drita 0:0

1. Drita 25 16 6 3 38:18 54

2. Ballkani 25 16 4 5 56:30 52

3. Prishtina 25 15 5 5 44:17 50

4. Gjilani 25 9 9 7 24:25 36

5. Trepça'89 25 9 5 11 27:34 32

6. Feronikeli 25 7 10 8 29:22 31

7. Llapi 25 9 3 13 32:32 30

8. Arbëria 25 7 6 12 25:36 27

9. Drenica 25 6 8 11 20:35 26

10. Besa 25 1 4 20 17:63 7