Sport

Munishi: Ndaj Gjilanit, të gjithë do ta kenë problem

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, debutoi me fitore si trajner i skuadrës. Në postin e trajnerit e zëvendësoi Bylbyl Sokolin, i cili nuk kishte arritur asnjë fitore në stinorin pranveror. Trajneri Munishi fitoi në ndeshjen e shtatë të stinorit pranveror, pas serisë së katër barazimeve e dy humbjeve të Gjilanit.

“Kualiteti i skuadrës nuk përkon me pikët që i kemi dhe me ecurinë. Më ka interesuar që ta hap një seri të re. Kjo ka qenë fitore e futbollistëve. Nuk është se kemi pasur kohë për të punuar, por lojtarët e kanë treguar dëshirën e flaktë për fitore. Më kanë dhënë emocione me këtë lojë që e kanë bërë. Trepça ’89 na vuri në vështirësi. Fitoren ua dedikoj ‘Skifterave’. Të gjitha ekipet tjera do ta kenë problem kundër ekipit tonë”, theksoi Munishi pas ndeshjes.

Pas 25 ndeshjeve të luajtura, Gjilani renditet i katërti në tabelë me 36 pikë. Trepça ’89 është një vend më poshtë me 32 pikë.

Ndeshjen e radhës në ligë, Gjilani e luan në udhëtim te Prishtina, ndërsa Trepça ’89 luan në “Riza Lushta” kundër Ballkanit. Mitrovicasit në mesjavë luajnë në çerekfinale të Kupës kundër Llapit.