Sport

Kinglsey Coman, futbollisti më i dekoruar i Evropës në tetë vjetët e fundit

Sulmuesi i krahut, francezi Kingsley Coman, ka një karrierë mbresëlënëse si futbollist profesionist të ngarkuar me trofe, kanë shkruar mediumet e huaja të dielën.

Në tetë vjetët e fundit, Comani nuk e ka humbur asnjë titull kampioni, i ka fituar të gjithë, qoftë me fanellën e Paris Saint-Germainit, Juventusit apo Bayern Munichut. Megjithatë, Comani krahas titujve të kampionit ka edhe shumë trofe të tjerë që i ka fituar me skuadrat e lartpërmendura.

Në total, Comani ka fituar 23 trofe prej sezonit 2012/13, kur debutoi si profesionist dhe konsiderohet si futbollisti më i dekoruar në Evropë për këtë periudhë. Ndërsa, këtë edicion është në rrugë të mbarë ta fitojë edhe një titull kampioni me Bayernin, i cili do të ishte i dhjeti për 24-vjeçarin. Në fakt, Comani dy tituj kampioni i ka fituar në edicionin 2015/16 me dy ekipe të ndryshme – Juventusin dhe Bayernin. Ai në fillim të këtij edicioni iu bashkua Bayernit nga Juventusi dhe titulli i fituar nga ekipi italian i llogaritet edhe Comanit për shkak se ka bërë paraqitje në Serie A përpara se të largohej nga Bundesliga.

“Ndoshta jam me fat që kam qenë pjesë e skuadrave që vitet e fundit kanë dominuar tërësisht në kampionatet e tyre. Megjithatë, ndihem krenar me karrierën dhe arritjet e mia deri më tani. Shpresoj që të vazhdoj me trofe të tjerë pasi jam i ri dhe kam ende synime të mëdha që besoj se do të më realizohen”, ka thënë Comani.

Edhe pse te PSG-ja e Juventusi nuk kishte hapësirë të madhe, Comani ka shpërthyer te Bayerni ku në dy vjetët e fundit ishte njëri prej lojtarëve kryesorë te bavarezët. Në të vërtetë, suksesin më të madh ai e shijoi me fanellën e Bayernit kur sezonin e fundit i fitoi të gjitha që mund të fitohen në nivel klubesh. Comani me Bayernin sezonin e shkuar i rrëmbeu në total gjashtë trofe: titullin e kampionit të Bundesligës, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë, Ligën e Evropës, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e klubeve. Për herë të parë në karrierë, Comani i fitoi Ligën e Kampionëve dhe Botërorin e klubeve.

“Ishte një edicion i jashtëzakonshëm, në rrethana të jashtëzakonshme po ashtu për shkak të virusit”, tha Comani.

Sulmuesi i krahut, i cili ka edhe 25 paraqitje për Francën, hapat e parë në futboll i mori në akademinë e PSG-së, së cilës iu bashkua në vitin 2004. Pas nëntë vjetësh në sistemin e gjeneratave të reja në klub, Comani debutoi me ekipin e parë të PSG-së, më 17 shkurt të vitit 2013.

Ai u bë futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë te PSG-ja, rekord që e mban ende pasi debutoi me 16 vjeç, tetë muaj e katër ditë. Në edicionin e tij të parë si profesionist, Comani e fitoi titullin e kampionit të Francës, kurse të njëjtin sukses e përsëriti edhe në sezonin tjetër, në të cilën PSG-ja fitoi Kupën e Superkupën franceze. Pas dy sezoneve te PSG-ja, Coman u josh nga oferta e Juventusit dhe iu bashkua ekipit italian si lojtar i lirë. Edhe te Juventusi, aventura e tij nuk zgjati shumë. Edicionin e parë në Itali (2014/15), ai u shpall kampion, kurse pak pasi nisi sezoni 2015/16 në të cilin luajti në kampionat dhe fitoi Superkupën, Coman u largua nga Juventusi për t’iu bashkuar Bayernit për 21 milionë euro. Te Bayerni, Coman filloi të dalë në pah dhe pikërisht sukseset më të mëdha i ka me këtë ekip pasi i ka fituar hiç më pak se 15 trofe prej të cilëve pesë tituj kampioni rresht. Paraqitjet e mira dhe sukseset e Comanit me fanellën e Bayernit kanë bërë që ekipet, si Manchester City, Manchester Unitedi e Chelsea të shprehin interesim për transferimin e tij në fund të sezonit. Comani ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2023 dhe së fundi ka refuzuar rinovimin e kontratës duke vënë në dyshim të ardhmen e tij në “Allianz Arena” pas përfundimit të sezonit aktual. Ai këtë edicion, ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë 13 asistime në 28 paraqitje për Bayernin në të gjitha garat.

Te Bayerni po duan ta mbajnë me çdo kusht njërin prej lojtarëve më të mirë dhe po shpresojnë ta bindin për të rinovuar kontratën deri në vitin 2025, me një pagë vjetore prej 12 milionë eurosh.

“Në klub as që e kemi diskutuar ndonjëherë shitjen e Comanit. Ai është dhe do të mbetet pjesë e Bayernit”, ka insistuar Hasan Salihamixhiq, drejtori sportiv i Bayernit.