Sport

Krasniqi synon të shkojë hapave të Shalës e Rashanit, për të fituar vend te Kosova

Kreshnik Krasniqi ka ngjashmëri me Herolind Shalën dhe Elbasan Rashanin në nisje të karrierës së tij si futbollist. Si Shala, ashtu edhe Rashani, kanë nisur të luajnë në futboll profesionist në Norvegji. Edhe Krasniqi është zhvilluar si lojtar në shtetin skandinav. Dallimi mes tyre është se Krasniqi ende nuk është paraqitur me ekipin A të Kosovës, ndryshe prej Shalës e Rashanit që kanë zhvilluar shumë ndeshje me fanellën e “Dardanëve”. Kanë regjistruar nga 16 ndeshje, derisa Krasniqi është pjesë e Kosovës U21. Por, 20-vjeçari shpreson që të ketë sa më shumë paraqitje me klubin e tij, Stromsgodsetin, e më pas të marrë thirrje nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes.

“E gjitha varet nga unë. Ka lojtarë shqiptarë në ligën norvegjeze, ka pasur edhe në të kaluarën. Shala e Rashani, të dy kanë luajtur mirë këtu dhe kanë marrë ftesa nga Kosova, e një gjë të tillë e synoj edhe unë. Megjithatë, dua të fokusohem e të luaj sa më mirë me ekipin, si dhe ta ndihmoj Kosovën U21 të kualifikohet në Evropian”, ka thënë Krasniqi të shtunën për KOHËN.

Në kualifikimet për Evropianin 2021 për grupmoshën U21, që do të mbahet në Hungari e Slloveni, Kosova ishte pjesë e Grupit 3. Krasniqi ishte i grumbulluar me “Dardanët” e rinj dhe pati paraqitje. Mirëpo, Kosova këto kualifikime i përfundoi e parafundit në grup, me nëntë pikë. Përfundoi prapa Anglisë, Austrisë, Shqipërisë e Turqisë, kurse la pas vetes Andorrën. E kundërshtarë thuajse të ngjashëm, Kosova U21 do të ketë në kualifikimet për Evropianin 2023. Bën pjesë në Grupin G, me Shqipërinë, Anglinë, Republikën Çeke, Slloveninë dhe Andorrën. Ndeshjet e fazës grupore do të luhen prej muajit mars deri në qershor të vitit të ardhshëm.

20-vjeçari Krasniqi beson se Kosova U21, krahas rezultateve të mira, do të kualifikohet në fazën finale të kësaj gare.

“Mendoj se kemi shumë punë për të bërë, por besoj në projekt. Në këtë gjeneratë kemi lojtarë shumë të fortë. Jemi thuajse të njëjtit që ishim në kualifikimet e fundit. E njohim njëri-tjetrin, do të kemi më shumë kohë për t’u përshtatur. Besoj se do të bëjmë ndeshje të mira kualifikuese”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi njihet për rekordin që ka në futbollin norvegjez. Në rangun e dytë të futbollit të Norvegjisë debutoi te skuadra Honefossit si 14-vjeçar, rekord që ende nuk është thyer. Një vit më vonë iu bashkua Stromsgodsetit. Ai ditë më parë e vazhdoi kontratën deri në fund të vitit 2022, pas paraqitjeve të mira që pati.

“Isha afër skadimit të kontratës. Kam pasur opsione për t’u larguar në gusht, por oferta dhe projekti ishin të mira dhe nuk munda t’i refuzoja. Llogarisin në mua dhe më kanë thënë fjalë të mira. Po punoj shumë dhe nuk mendoj për rekorde. Synoj paraqitje të mira, e të tjerat vijnë vetë, me punë të madhe”, tha Krasniqi, i cili zbuloi se për një vend titullari e ka kapitenin e ekipit. “Duhet ta nxjerr jashtë kapitenin e ekipit, e më pas të kontribuoj me gola e asistime. Posa të më vijë rasti do ta shfrytëzoj. Kampionati është dashur të nisë më 5 prill, por është shtyrë deri më 2 maj. Nuk është mirë për ne, sepse mund të humbim energji, por është pozitive sepse mund të njihemi më shumë me shokët e skuadrës”.

Për Krasniqin janë interesuar skuadra të ndryshme, por menaxheri i tij zbuloi se oferta e Stromsgodsetit ishte më e mira.

“Shibeniku në Kroaci bëri ofertë zyrtare, ndërsa Happoel Beer Sheva e mban nën vëzhgim. Është edhe një ekip i Superligës turke me të cilin nuk kemi arritur marrëveshje për kushtet e transferimit. Verën e kaluar Sheffield Unitedi e kërkoi zyrtarisht”, tha menaxheri Armando Kelmendi.

Kampionati norvegjez ka ekipe shumë të forta, por Krasniqi thotë se Stromgodseti ka cilësi dhe shumica e lojtarëve janë të rinj. Ai shtoi se ekipi në sezonin e ri do të luftojë për të siguruar një vend që dërgon në garat evropiane.