Sport

Munishi zëvendëson Sokolin te Gjilani

Ismet Munishi do të jetë trajner i skuadrës së Gjilanit për pjesën e mbetur të këtij sezoni në Superligën e Kosovës në futboll.

Lajmin për angazhimin e Munishit, e ka bërë të ditur kryetari i Gjilanit, Florim Zuka në “Facebook”.

Ai ka postuar një fotografi së bashku me Munishin, në të cilën ka shkruar: “Ismeti e drejton SC Gjilanin”.

Munishi në postin e trajnerit te Gjilani ka zëvendësuar Bybyl Sokolin, i cili të premten ka dhënë dorëheqje pas rezultateve të dobëta. Munishi do të jetë trajneri i tretë i Gjilanit këtë sezon pasi para Sokolit, ekipin e ka drejtuar Gentjan Mezani.

Gjilani, aktualisht renditet në pozitën e katërt në tabelë me 33 pikë të mbledhura kurse në stinorin pranveror nuk e ka regjistruar asnjë fitore.

Në pesë ndeshje të luajtura në pranverë, Gjilani ka regjistruar tri barazime e dy humbje.

Munishi pritet të debutojë në krye të Gjilanit këtë vikend në ndeshjen kundër Trepçës ’89 që luhet në Mitrovicë.