Sport

Grupi KOHA fiton çmimet kryesore në ceremoninë “Ali Shala”

Vëllezërit Faton e Dilaver Polisi, nga redaksia e sportit në Grupin KOHA, i kanë fituar dy çmimet kryesore në ceremoninë “Ali Shala”.

Ceremonia u organizua nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, të premten në Prishtinë. Faton Polisit i takoi çmimi i kategorisë “Shkrimi më i mirë për vitin 2020”, ndërsa kronika më e mirë u zgjodh ajo e Dilaver Polisit.

“Ka qenë një vit goxha i vështirë 2020-ta. Vazhdon të jetë i tillë për sportin e Kosovës që është gjunjëzuar, mirëpo nuk është thyer ende, nuk është rrëzuar në fakt dhe ne urojmë që nuk do të vazhdojë kjo situatë kështu siç është, shpresojmë që të përmirësohet dhe sportistët të arrijnë t'i kthehen normalitetit e po ashtu edhe ne t'i kthehemi punës tonë të përditshme që i kemi. Të jemi të pranishëm në stadiume, në terrene sportive që ta bëjmë punën ashtu siç duhet. Edhe unë desha që këtë çmim t'ia dedikoj familjes time, dhe kolegëve t'iu uroj suksese në vazhdimin e punës së tyre”, ka thënë Faton Polisi.

Faton Polisi e fitoi çmimin me temën “Koronavirusi gjunjëzon edhe sportin”, ndërsa

Dilaver Polisi për rrëfimin e veçantë të futbollistit të skuadrës së U15 të kampiones në fuqi të Kosovës në futboll, Dritës, Enis Xhemaili.

“Storja e Enisit ka qenë ndoshta më e veçanta për mua ndonjëherë sepse atë ditë kur kemi shkuar në Gjilan ka qenë me të vërtetë ftohtë. Por, Enisi me vullnetin të cilin e ka pasur për lojën e futbollit sidomos, na ka ngrohur zemrat të gjithëve. Nuk po e zgjas më shumë, është një vit i veçantë për SHGSK-në. Është 20-vjetori, dhe është një çmim unik edhe për mua dhe këtë çmim të veçantë desha që t'ua kushtoj familjarëve të mi, natyrisht edhe mbretëreshave të shtëpisë, mbesave, si dhe nënës time e cila vazhdimisht është në përkrahje të vazhdueshme edhe me kritika, edhe më lëvdata”, theksoi Dilaver Polisi.

Çmimi për reporterët e rinj u takoi dy gazetarëve, Erion Maliqaj dhe Mërgim Reci, ndërsa fotografia më e mirë u zgjodh ajo e Petrit Miftarit.

Me vepër jetësore në këtë ceremoni u shpërblyen Xhavit Kajtazi dhe Blerim Vuniqi, ndërsa u ndanë edhe mirënjohje të tjera.

Post-mortem është ndarë për Avni Shabanin, Rexhep Shehun dhe Muharrem Bulliqin.

“E themeluar para dy dekadave, kjo organizatë që numëron 120 gazetarë, kameramanë, fotoreporter e producentë, ka qenë ombrella e secilit që ka lënë gjurmë në profesionin tonë të shenjtë. Ky përvjetor na gjen në një dimension krejtësisht tjetër nga e kaluara. Një hise jo pak të rëndësishme në sportin e Kosovës për këto 20 vite të shumë proceseve historike, kanë dhënë edhe gazetarët e sportit. Nevojitet më shumë përkushtim dhe sidomos kemi nevojë për gazetari hulumtuese e krejt kjo vjen me më shumë mbështetje institucionale. Jam i nderuar që nën ombrellën e SHGSK-së, dita-ditës po rrisim numrin e të interesuarve për të bërë gazetari të mirëfilltë sportive. Madje, Kosova vjen nga mesataret më të reja të gazetarëve sportiv në botë”, ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, Edmond Thaçi.

Ceremonia e 20-të jubilare e së premtes u organizua në numër të kufizuar shkaku i masave në luftën kundër koronavirusit.

Image