Sport

Ramosaj, “muri” i pakalueshëm për rumunët

Hendbollisti Bujar Ramosaj nuk e shënoi asnjë gol për Kosovën të mërkurën që arriti barazim historik përballë Përfaqësueses së Rumanisë (23:23), në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Evropianin 2022. Kishte një mision tjetër për të kryer - të ndalte sulmet e rumunëve. Detyrën e besuar nga përzgjedhësi Bujar Qerimi, Ramosaj të mërkurën mbrëma në Prishtinë e kreu me sukses. Ai ishte “muri” i pakalueshëm për rumunët, që dominonin në gjatësi dhe forcë përballë atyre të Kosovës.

Megjithatë, ballë gjatësisë së hendbollistëve rumun u bëri Ramosaj. Por, Ramosaj insiston se pa ndihmën e bashkëlojtarëve nuk do të mund t’ia dilte të bënte paraqitje të mirë. Ai insiston se Kosova si ekip i bashkuar arriti ta ndalte Rumaninë, që tregoi paraqitje të dinjitetshme.

Në fakt, Rumania ka suksese të mëdha në hendboll. Katër herë ka qenë kampione e botës në vitet 1960 dhe 1970, ndërsa ka edhe një të argjendtë e tri të bronzta olimpike. Ndërkohë liga rumune vlerësohet shumë cilësore. Rumunët kishin ardhur për fitore bindëse, por me mund morën një pikë.

Ky barazim për Kosovën është arritur pas dy humbjeve në ndeshjet e para, nga Mali i Zi dhe Suedia.

“Paraqitja ka qenë e mirë nga të gjithë në ekipin tonë përfaqësues. Duke parë se Rumania ka një ekip shumë të mirë dhe të fortë. Barazimi është goxha i mirë për ekipin tonë përfaqësues. Ka qenë ndeshje goxha e vështirë, mirëpo kemi qenë të organizuar shumë mirë sidomos në pjesën e dytë”, ka thënë Ramosaj të enjten për KOHËN.

Në fakt, vendimtare ishte pjesa e dytë. Fillimisht, Kosova për herë të parë barazoi rezultatin në 18:18, ndërsa pati edhe dy barazime të tjera, 21:21 dhe 22:22. Por në fund ndeshja përfundoi baras, 23:23, e që vlerësohet goxha sukses.

“Gjithmonë kur luajmë kundër ekipeve të forta, motivi është më i madh për të treguar ndeshje të mirë. Paraqitja ka qenë e mirë nga të gjithë lojtarët dhe për këtë arsye edhe rezultati ka qenë i mirë”, ka theksuar hendbollisti nga Deçani që luan për skuadrën më të trofeshme në Kosovë, Besa Famgas.

Ramosaj luan në pozitën e bekut. Luan përkrah hendbollistit më të mirë në Kosovë, Kastriot Jupa, që po ashtu është pjesë e Besës së Pejës.

Kosova ishte takuar me Rumaninë në eliminatoret e para të saj, ato për Evropianin 2018. Si vendëse Rumania kishte fituar 36:24, kurse ndeshja në Prishtinë u mbyll me shifrat 30:16, po ashtu në të mirë të rumunëve. Ndeshjet ishin luajtur në vitin 2014. Vjet humbi me 11 gola dallim në Itali. Me të njëjtën përfaqësuese hendbollistët e Kosovës luajnë edhe të dielën në Bukuresht.

Ramosaj ka theksuar se Kosova nuk vlerësohet më autsajdere edhe përballë skuadrave më të forta se ajo. Ka ditur t’i ndalë apo t’u bëjë ballë edhe shteteve të fuqishme evropiane në hendboll.

Ramosaj pret paraqitje dinjitoze edhe në Bukuresht.

“Nëse mundemi të luajmë sikur në Kosovë, besoj se edhe nga Bukureshti mund të kthehemi me rezultat pozitiv, ndonëse është mjaft e vështirë, sepse Rumania luan shumë mirë në vend të vet. Por, ne do ta japim maksimumin për t’u kthye me ndonjë rezultat pozitiv nga Rumania. Shpresojmë t’ia dalim me sukses”, ka thënë Ramosaj.