Sport

Japonezi 37-vjeçar synon paraqitjen në Champions me Eintracht Frankfurtin

Pavarësisht se iu dha nofka “Gjyshi” nga shokët e tij të skuadrës së Eintracht Frankfurtit, veterani japonez Makoto Hasebe, 37-vjeçar, ëndërron të luajë përsëri në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Ai vazhdoi kontratën e tij me ekipin e Bundesligës së fundi.

Ish-kapiteni i Japonisë kishte planifikuar të tërhiqej nga futbolli aktiv në fund të këtij sezoni, por e rinovoi kontratën edhe për një vit dhe do të jetë pjesë e Eintrachtit deri në verën e vitit të ardhshëm. Hasebe ishte kapiten i Frankfurtit i cili e mposhti Bayern Munichun me rezultatin 2:1 në Bundesligë muajin e kaluar.

“Jam me të vërtetë i lumtur dhe krenar që mund të luaj në Bundesligë vitin e ardhshëm në moshën 38-vjeçare. Për mua kjo është thjesht e mahnitshme”, ka thënë Hasebe. “Një vit më parë unë isha 99.9 për qind i sigurt që do të tërhiqesha nga futbolli aktiv këtë verë”.

Sidoqoftë ai po shijon një “jetë të re” pasi në fillim të këtij viti e ndërroi rolin në fushë. Prej muajit janar Hasebe është transformuar nga qendërmbrojtës në mesfushor dhe po befason me paraqitjet e mira në rolin e ri. Kur Frankfurt i ofroi atij rinovimin e kontratës edhe për një vit, Hasebe nuk hezitoi fare për ta firmosur.

“Ne as që negociuam për pagën time”, zbuloi Hasebe.

Ai e bëri paraqitjen e tij të fundit me Japoninë në humbjen kundër Belgjikës në 1/8 e finales të Kampionatit Botëror “Rusia 2018”. Hasebe ka 114 ndeshje me Japoninë, kurse debutoi në vitin 2006.

Hasebe thotë se sezoni i ardhshëm ndoshta do të jetë i fundit për të pasi përfundimisht mendon t’i varë “këpucët në gozhdë”.

Më shumë se një dekadë pasi luajti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve me ish-klubin e tij, Wolfsburg në edicionin 2009/10, Hasebe tani dëshiron të paraqitet në garën elitare të Evropës edhe me fanellën e Eintracht Fraknfurtit. Frankfurti, i cili nuk ka luajtur në këtë garë që nga humbja e finales së Kupës Evropiane në vitin 1960 nga Real Madridi, aktualisht zë vendin e katërt në Bundesligë, me tri pikë më shumë se Bayer Leverkuseni, që është i pesti dhe gjithashtu po lufton për një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin tjetër.

“Është një ëndërr e madhe të luash përsëri në Ligën e Kampionëve”, tha Hasebe. “Ky është një synim realist, por ne duhet të qëndrojmë të përulur dhe të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund të sezonit”.

Hasebe mbush 38 vjet në janarin e vitit të ardhshëm, por ai nuk ka në plan të imitojë shokun e tij Kazuyoshi Miura, i cili ende luan për ekipin e J-League, FC Yokohama, në moshën 54-vjeçare.

“Ne takohemi në Japoni çdo verë dhe shkojmë të darkojmë. Ai është i mahnitshëm”, tha Hasebe.

“Ne flasim shumë për gjendjen tonë fizike: ai nuk pi pothuajse fare alkool, gjithmonë ha shëndetshëm dhe stërvitet nga dy apo tri orë për çdo ditë. Ai është modeli im, edhe nëse nuk është qëllimi im të luaj kaq gjatë. Unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë”.

Shokët e ekipit rregullisht ia kujtojnë Hasebes se të 40-at e tij po afrohen dhe ai thotë se te Eintracht Frankfurti i kanë vënë shumë nofka tashmë.

“Ata vazhdimisht nxjerrin nofka të ndryshme për mua, me të cilat qeshemi të gjithë. Më quajnë ‘legjenda’, ‘gjyshi’, ‘plaku’ e kështu me radhë”, qeshet Hasebe. “Ndërsa në Japoni njerëzit thjesht më quajnë ‘kapiten’, sepse isha kapiten i përfaqësueses për tetë vjet”.

Frankfurti e viziton Leipzigun, që zë vendin e dytë në kampionatin e Gjermanisë këtë të shtunë, kurse Hasebe shpreson në një rezultat pozitiv. Ai deri më tani ka 20 paraqitje në Bundesligë këtë edicion.