Sport

Ferizajasi i derbit gjilanas

Betim Haxhimusa mbahet mend për katër golat e shënuar brenda tetë minutash, diçka e rrallë në futbollin kosovar. Rekordin për katër gola më të shpejtë e mban ende, ndonëse kanë kaluar katër vjet. Atëbotë ishte pjesë e klubit të futbollit Gjilani, rivalit më të madhe të klubit të tij aktual, Dritës.

Drita e Gjilani do të përballen të enjten në derbin më të madh në Kosovë. Dhe Haxhimusa mund të jetë në qendër të vëmendjes. Janë dy arsye pse vëmendja mund të jetë tek ai. E para se është ndër lojtarët që kanë luajtur për të dyja skuadrat rivale të qytetit të Gjilanit dhe e dyta se vlerësohet golashënuesi më i mirë i derbit.

Vetë Haxhimusa thotë se mban epitetin e golashënuesit më të mirë në derbin e Gjilanit. Haxhimusa ka shënuar gjashtë gola që nga viti 2015. Tre gola i ka shënuar për Gjilanin e tre për Dritën.

“Me sa e di me golin e fundit jam golashënuesi më i mirë i derbit. Më duket se ka qenë para meje Liridon Hasani”, ka thënë Haxhimusa të mërkurën për KOHËN.

Derbin e fundit e fitoi Drita me rezultatin 3:2, ndeshje që u zhvillua në nëntorin e vitit të kaluar. Golin vendimtar e shënoi Haxhimusa në minutën e 90-të.

Vitin e kaluar ndaj Gjilanit shënoi edhe në fitoren e muajit shkurt me rezultatin 2:0. Të dy golat ishin të ferizajasit. Ndërsa sa ishte pjesë e Gjilanit shënoi dy herë në vitin 2017, ndeshje të cilat u patën mbyllur me rezultat të njëjtë, 1:1. Një gol ndaj Dritës e ka shënuar edhe në vitin 2015, në fitoren 3:0.

“Ndeshja e parë e imja kur kalova prej Gjilanit te Drita ka qenë e vështirë. Por tani e kam kaluar atë sfidë dhe derbi pa festë nuk bën. Do ta veçoja golin e fundit të shënuar në minutën e 90-të, që ishte edhe i fitores. Por edhe dy golat e fitores që i kam shënuar në shkurt të vitit të kaluar”, ka thënë Haxhimusa.

Sulmuesi 28-vjeçar këtë edicion në 22 paraqitje në Superligë ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar dy herë. Ai Gjilanit i ishte bashkuar në vitin 2015 nga skuadra e Prishtinës, ndërsa pjesë e Dritës është që nga korriku i vitit 2018.

Haxhimusa pret që ta ketë rastin të luaj edhe në këtë derbi që zhvillohet të enjten. Ai shpreson ta ndihmoj Dritën me ndonjë gol.

“Çdo gol që e shënon të bën të ndihesh mirë, e sidomos kur shënon në derbin më të madh në Kosovë. Besoj që edhe në ndeshjen e ardhshme ta jap maksimumin, pse jo të shënoj edhe gol. Një derbi të tillë ose një gol i shënuar në derbi gjithmonë të vë në qendër të vëmendjes. Të rriten vlerat si lojtar”, ka theksuar Haxhimusa.

Derbi më i zjarrtë në Kosovë do të luhet pa praninë e shikuesve shkaku i masave në luftën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Por organizime do të ketë. Nuk do të jenë si ato të viteve të kaluara, por është paralajmëruar se tifozët në forma të ndryshme do të mundohen t’i motivojnë lojtarët në fushë, si ata të Dritës, “Intelektualët”, ashtu edhe të Gjilanit, “Skifterat”.

Në të kaluarën të dyja tifozëritë paralajmëronin disa javë më parë përgatitjet që bënin për ta fituar derbin edhe në tribuna.

Haxhimusa thotë se derbi i qytetit të Gjilanit është më shumë se një ndeshje futbolli.

“Ndeshjet e kaluara kanë qenë me shikues, tash është vetëm derbi pa prani të shikuesve. Është më shumë se një lojë futbolli, sepse shumë shikues e presin me padurim këtë ndeshje dhe duhet ta japësh maksimumin për të mos i dëshpëruar”, ka thënë ai.

Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita është në garë për ta mbrojtur titullin e kampionit, ndërsa Gjilani në luftë për ekzistencë. Por Haxhimusa thotë se në derbi nuk luan rol pozita në të cilën ndodhen skuadrat.

“Është ndeshje e rëndësishme për ecurinë tutje, pasi jemi në garë për titull. Është ndeshje shumë emocionuese, sepse nuk është si ndeshjet e tjera. Luhet edhe për krenarinë e qytetit”, është shprehur Haxhimusa, që me Dritën ka një titull të fituar.

Haxhimusa thotë se edhe te Gjilani ka kaluar periudhë të mirë.

“Mendoj që ka qenë një periudhë e mirë dhe përvojë e mirë. Kam kaluar shumë mirë, ndërsa te Drita jam shumë më mirë”, ka thënë Haxhimusa.