Sport

Sezoni i futbollit që zgjat vetëm shtatë ditë

Londër, 4 mars (The Sun) – Konsiderohet si një prej garave më të çuditshme të futbollit në botë.

Për çdo vit, që nga viti 1971, futbollistët më të mirë të Grenlandës bashkohen për të luajtur në ligën “Gronlandsbanken Final 6”, që zgjat vetëm një javë. Është gara më e shkurtër në botë e cila zhvillohet në Rrethin Arktik. Ndeshjet zhvillohen në një ishull vullkanik, ku ajsbergët janë të dukshëm në distancë dhe balenat mund të shihen duke dalë për ajër nga ujërat. Në mënyrë të pabesueshme, 10 për qind e popullsisë së Grenlandës merr pjesë në këtë ligë.

Sidoqoftë, fushat brutale plastike, të forta për shkak të klimës, shohin shumë nga yjet e kësaj lige të pësojnë lëndime të tmerrshme, përfshirë edhe thyerje të këmbëve. Grenlanda është një vend i madh sa Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia. Mirëpo, ndryshe prej këtyre vendeve që janë të fiksuara pas futbollit, vetëm 20 për qind e tokës së Grenlandës është në të vërtetë e banueshme, pasi pjesa tjetër është akull. Ka shumë pak zona me bar dhe për rreth nëntë muaj të vitit është e pamundur të luhet futboll, për shkak se fushat janë të mbuluara nga bora deri në 200 centimetra. Shkaku i kushteve të vështira meteorologjike, udhëtimi gjithashtu në të shumtën e rasteve është i vështirë – madje edhe në verë – kështu që organizimi i ndeshjeve të futbollit konsiderohet si një makth i vërtetë. Sidoqoftë, populli i Grenlandës nuk lejon në asnjë mënyrë që logjistika ta pengojë për t’i shijuar ndeshjet e këtij sporti. Në fakt, futbolli është duke lulëzuar në Grenlandë. Ai mbetet sporti më i popullarizuar në vend. Në Grenlandë janë të regjistruar rreth pesë mijë lojtarë, që i bie rreth 10 për qind e popullsisë. Fusha “Qeqertarsuaq” në Ishullin Disko është vendi i preferuar për t’u luajtur ndeshjet e ligës, ku ekipet si B-67 ose G-44 luftojnë për titullin e kampionit. Mirëpo, për të arritur në këtë ishull, skuadrat duhet të lundrojnë. Në total janë tetë skuadra nga i gjithë vendi që marrin pjesë në ligën e cila zgjat vetëm një javë. Skuadrat pjesëmarrëse në këtë ligë e sigurojnë kualifikimin nëpërmjet ndeshjeve eliminatore që zhvillohen gjatë muajit korrik. Fusha artificiale, edhe pse përmirësohet pothuajse për çdo vit, sërish është e rrezikshme për lojtarët. Kështu që lëndimet gjatë ndeshjeve të ligës janë të shpeshta, por bëhet fjalë për lëndime të rralla për botën e futbollit. Futbollistët e kësaj lige pësojnë thyerje të këmbëve, kapakut të gjurit, hundës dhe krahëve, lëndime këto të ngjashme me ato të arteve marciale dhe për këtë fajin më të madh e ka fusha artificiale. Para vitit 2016, kampionati është zhvilluar në terrene rëre dhe shkëmbi. Këtu fizioterapeutët fare nuk kishin pushim dhe futbollistët lëndoheshin pothuajse pas çdo ndërhyrjeje.

“Ishte thjesht një fushë shumë e fortë prej rëre dhe ne si futbollistë e kishim parasysh se lëndimet do të ishin të forta”, kujton Johannes Groth, kapiteni i skuadrës B-67. “Ndonjëherë ka pasur gurë të mëdhenj, kështu që lëndoheshim shumë”.

Megjithatë, situata për portierët ishte shumë më e vështirë dhe më e keqe.

“Për të qenë një portier në ato fusha ishte shumë vështirë, pasi duhej të jepje gjithçka nga vetja për ta ndihmuar ekipin. Kishim disa shtresa të veshjeve në mënyrë që të mos ndienim dhimbje. Pas ndeshjes, i tërë trupi ynë mbulohej me gërvishtje”, thotë ish-kapiteni i ekipit G-44, Johan Frederik Zeeb.

Këtë vit planet janë gati për t’u siguruar që Grenlanda të marrë statusin e anëtares së FIFA-s dhe po shpresohet në fusha më të mira. Në të vërtetë, Federata e Futbollit e Danimarkës po e ndihmon Grenlandën për gjendjen e vështirë të fushave dhe ndërtimi i terreneve të reja artificiale po vazhdon.

“Ne kemi një marrëveshje midis Federatës së Futbollit të Danimarkës dhe Unionit të Lojërave me Top të Grenlandës për ta zhvilluar futbollin në Grenlandë”, zbuloi shefi i Federatës Daneze, Jesper Moeller. “Ishte plani ynë për t’i ndërtuar gjashtë fusha artificiale me madhësi të plotë deri në vitin 2021, por tashmë ka 11 ose 12 sosh. Mund të them se është një sukses i madh. Është një udhëtim i gjatë, por ne tashmë e kemi filluar. Kështu që e ardhmja e futbollit të Grenlandës është e ndritshme”.