Sport

Me 210 centimetrat e tij, greku Toutziarakis po jep shumë për Trepçën

Descriptive Text

Prishtinë, 28 shkurt - Paraqitja kundër Ponte Prizrenit ishte më e mira për grekun Stavros Toutziarakis me fanellën e Trepçës.

Qendra e gjatë 210 centimetra ishte ndër më meritorët për fitoren e Trepçës të shtunën mbrëma në Mitrovicë me rezultatin 116:114. Fitorja ndaj Pontes u arrit vetëm pas dy vazhdimeve nga pesë minuta.

Për skuadrën nga Mitrovica ishte fitorja e katërt rresht në Superligë. Takimin dramatik ndaj Ponte Prizrenit, Toutziarakis e mbylli me “double-double” të veçantë prej 30 pikëve, 22 kërcimeve dhe tri asistimeve.

Këto ishin edhe shifrat më të larta të tij në Kosovë. Se paraqitja e së shtunës ishte e veçantë, e pranon edhe basketbollisti grek i lindur në vitin 1987. Ai ka thënë se pa dyshim paraqitje ndaj Ponte Prizrenit ishte më e mira prej se ka ardhur në Kosovë. Pas kësaj paraqitjeje, Toutziarakis shpreson të vazhdojë me këtë ritëm edhe në ndeshjet tjera të Trepçës, që po lufton për një vend në plejof.

“Realisht ishte një ndër ndeshjet më të vështira në këtë sezon. Kemi arritur të marrim një fitore të rëndësishme dhe kemi luftuar të gjithë së bashku deri në përfundimin e ndeshjes. Mund të them lirshëm se kjo ndeshje ishte më e mira personale deri më tani me fanellën e Trepçës dhe jam i lumtur për këtë”, ka thënë basketbollisti me përvojë.

“E rëndësishme është që në fund arritëm të marrim fitoren. Sigurisht që edhe me ndihmën e bashkëlojtarëve arrita ta bëja një paraqitje të tillë”, u shpreh Toutziarakis për KOHËN.

33-vjeçari, që gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për skuadra të njohura në Greqi, ka zbuluar arsyen kryesore pse vendosi t’i bashkohet ekipit nga Mitrovica. Ai thotë se oferta edhe në kampionatin grek nuk i kanë munguar por në fund vendosi për një aventurë krejtësisht të re.

“Jam i kënaqur deri më tani që jam pjesë e klubit të Trepçës. Arsyeja kryesore pse kam ardhur këtu është të luaj basketboll. Në Greqi, ekipet të cilat me kontaktuan nuk më ofruan minutazhë të mjaftueshme dhe vendosa ta pranoja ofertën e Trepçës. Ekipi është shumë mirë i organizuar dhe me njerëz të shkëlqyer dhe deri më tani gjithçka ka shkuar mirë. Shpresoj ta ndihmoj ekipin drejt objektivave të cilat i kemi”.

Për qendrën gjigante, kampionati i Kosovës nuk është krejtësisht i panjohur. Ai thotë se edhe më herët ka dëgjuar por nuk ka pasur shumë informacione rreth Superligës kosovare. Në basketbollin kosovar edhe më parë ka pasur trajnerë nga Greqia e po ashtu ndonjë lojtar të rrallë.

“Nuk kam pasur edhe shumë njohuri për kampionatin e Kosovës, por e kam ditur që është një kampionat i fortë. Më pëlqen pasi të gjitha ekipet janë të forta dhe secila skuadër mund ta mposhtë secilën dhe kjo e bënë edhe me interesante rrjedhën e kampionatit”, deklaroi Toutziarakis.

Me klubin e Trepçës, basketbollisti i shquar për konsistencë synon të sigurojë mbijetesën në Superligë.

Ai pret që skuadra nga Mitrovica të jetë sa më lart në renditje në fund të këtij sezoni. “Xehetarët” pas 21 ndeshjeve të zhvilluara në Superligë, janë në pozitën e gjashtë me 29 pikë të tubuara.

Trepça ka shënuar tetë fitore dhe ka pësuar 13 humbje.

“Synimi me klubin këtë sezon është që të jemi sa më lart në renditje. Duhet të marrim ndeshjet një nga një dhe në fund të shohim se çfarë do të ndodhë. Shpresoj se do të arrij ta ndihmoj ekipin të marrim sa më shumë fitore në vazhdim”, potencoi qendra greke.

Toutziarakis gjatë karrierës ka luajtur për skuadra si AEK, Maroussi, Solna Viking dhe Kymis. Ai thotë se është i lumtur me atë se çfarë ka arritur gjatë kësaj periudhe në basketboll.

“Mund të them që jam shumë i kënaqur me atë se çfarë kam kaluar gjatë karrierës sime. Kam pasur mundësi që të luaj në skuadra të njohura dhe të luaj në nivele të larta. Jam munduar gjithmonë të jap më të mirën dhe shpresoj se e kam arritur këtë gjë. Më të mirën time do ta jap edhe sa do të jem pjesë e klubit të Trepçës”, përfundoi Toutziarakis.

Këtë sezon me Trepçën, Toutzaiarkis ka një mesatare prej 16.7 pikëve për ndeshje, 11 kërcime dhe 2.7 asistime.