Sport

Serbia nuk heq dorë nga organizimi i aktiviteteve sportive në Kosovë, premton forcim të tyre

Prishtinë, 25 shkurt – Federata e Sportit e Serbisë nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga organizimi i aktiviteteve të saj në territorin e Kosovës. Përkundrazi, synon të shtojë aktivitetet, ndonëse nga autoritetet kosovare ato vlerësohen të paligjshme.

Klubet sportive të komunitetit serb e që selinë e kanë brenda territorit të Kosovës, asnjëherë nuk kanë ndalë pjesëmarrjen në garat e organizuara nga Federatat sportive të Serbisë. Ka pasur kryesisht deklarata të autoriteteve sportive kosovare kundër një gjëje të tillë, por jo veprime konkrete. Ndërkohë organizatat sportive të vendit nuk ia kanë dalë të joshin klubet sportive të serbëve për të garuar nën ombrellën e federatave kosovare. Serbët që jetojnë në Kosovë nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe organizimi i tyre sportiv shkon në këtë drejtim.

Kryetari i Federatës së Sportit të Serbisë, Davor Shtefanek, ka thënë gjatë qëndrimit në Mitrovicën Veriore se nuk ka ardhur në një shtet tjetër dhe se është në Serbi.

Shtefanek ishte në krye të një delegacioni më të gjerë të Federatës së Sportit të Serbisë. Drejtuesit sportivë serbë në Mitrovicë kanë ndarë ndihma për sportistët serbë nga Kosova, si topa, fanella dhe rekuizita të tjera sportive. Delegacioni nga Beogradi ka vizuar palestrën në Mitrovicën Veriore dhe ka takuar përfaqësues të së ashtuquajturës “Federatë e Sportit e Kosovës dhe Metohisë”.

Sipas njoftimit të mediave në gjuhën serbe, gjatë vizitës është diskutuar për problemet që kanë të ashtuquajturat federatat sportive në Kosovë, për zgjidhjen e tyre dhe përmirësimin e kushteve për marrje me sport. Shtefanek ka premtuar ndihma të tjera dhe ka thënë se kanë ardhur për të dëgjuar për problemet dhe për të tentuar që t’i ndihmojnë “federatat sportive”.

“Do të tentojmë që t’iu dhurojmë edhe shumë pajisje të tjera dhe të ndihmojmë klubet sa të mundemi me pajisje sportive. Mendoj se është mirë që jemi mbledhur në këtë numër. Ne jemi këtu për të parë nëse mund të ndihmojmë. Shpresoj se do të mund të zgjidhim problemet, por nuk kemi shkopinj magjikë që t’i zgjidhim të gjitha. Por po mundohemi të jemi këtu dhe të ngremë sportin në nivel më të lartë dhe që mjetet e destinuara për sport t’i ndajmë në mënyrë të drejtë. Nuk kam ardhur në shtet tjetër, unë jam në Serbi, në Kosovë e Metohi. Për mua kjo është pjesë e Serbisë dhe gjithmonë do të mbetet kështu. Natyrisht edhe për ju duhet të mendoj dikush, ndërsa ne jemi këtu pikërisht për këtë arsye”, ka thënë Shtefanek gjatë takimit.

Goran Kovaq e udhëheq të ashtuquajturën Federatë të Sportit të Kosovës e Metohisë. Ai ka theksuar se pa përkrahjen e Federatës serbe, puna do të ishte shumë më e vështirë.

“Në vitet e kaluara kemi parë se në krye të federatës sonë janë njerëz që janë të gatshëm dhe kanë vullnet për të na ndihmuar në çdo mënyrë neve në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Kovaq.

Është prekur edhe tema e zhvillimit të ndeshjeve sportive në terrenet në Kosovë. Në muajt e fundit sportistët nga Serbia në disa raste janë penguar që të hyjnë në Kosovë nga autoritetet e vendit.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Sportit të Serbisë, Goran Marinkoviq, ka thënë se do të mundohet që ky problem në të ardhmen të zgjidhet. Ai ka theksuar se politika ka ndikim të madh.

“Federata Sportive është gjithsesi këtu për të përkrahur këtë iniciativë. Unë dhe Davori nuk vendosim për këtë, por do të ofrojmë përkrahje në përpjekje për të shmangur këtë problem. Ka shumë faktorë që duhet të sjellin këtë vendim. E dimë për qëndrimin e njëjtë të ministrit të Sportit, Vanja Udovçiq, që kjo çështje duhet të zgjidhet. Në një periudhë të ardhshme, natyrisht me ndonjë iniciative të përbashkët, mendoj se do të shkojmë në një drejtim”, ka theksuar Marinkoviq.

Shteti i Kosovës ende nuk po ia del të shtrijë autoritetin në të gjithë territorin e vendit. Dhe kjo sjell edhe telashet me sport. Federatat legjitime të Kosovës kanë nisur herë pas here letra në drejtim të asociacioneve ndërkombëtare, por gjendja nuk ka ndryshuar sa i takon pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në garat e organizuara nga Serbia.

Edhe pas zhvillimeve të fundit, drejtues federatash kanë lënë të kuptohet se situata nuk është në dorën e tyre.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka folur të enjten për ndërhyrje në sistemin sportiv të Kosovës.

“Është ndërhyrje në sistemin sportiv të Kosovës. Kosova i ka federatat e saj dhe të gjithë qytetarët e Kosovës janë të mirëseardhur për të garuar nën ombrellën e tyre. Ndoshta këtyre njerëzve që propagandojnë gjëra si kjo që ka ndodhur sot në Mitrovicë duhet t’iu ndalohet hyrja në Kosovë. Nëse bëhet fjalë për aktivitete të ndonjë federate specifike, atëherë Federata kosovare duhet të reagojë në asociacionet ndërkombëtare. E njëjta gjë vlen edhe për Komitetin Olimpik”, ka thënë Hasani. “Federatat sportive të Kosovës janë të anëtarësuara në federatat përkatëse ndërkombëtare. Dy federata në një shtet nuk mund të ekzistojnë”, ka shtuar i pari i KOK-ut.