Sport

Xhaka thotë se është në formë të mirë fizike dhe mentale

Londër, 24 shkurt – Mesfushori Granit Xhaka ka pranuar se ky ndoshta mund të jetë edicioni i tij më i mirë me fanellën e Arsenalit pasi ka thënë se është në formë fantastike dhe për këtë meritat ia ka adresuar trajnerit Mikel Arteta. Xhaka në konferencën për shtyp pas ndeshjes së Arsenalit kundër Benficas në kuadër të 1/16 të finales të Ligës së Evropës ka zbuluar se trajneri Arteta po i ndihmon shumë dhe se ai është arsyeja që mesfushori është ende pjesë e ekipit londinez.

“Është vështirë të them nëse ky është sezoni im më i mirë apo vetëm jam në formë të mirë. Megjithatë, gjëja e rëndësishme është se jam i kënaqur me paraqitjet e mia, kam besimin e trajnerit dhe jam në formë të mirë fizikisht e mentalisht. Ky edhe është çelësi i paraqitjeve të mia”, ka thënë Xhaka 28-vjeçar. “Trajneri po më ndihmon shumë dhe të gjithë e dinë se ai është njëri prej arsyeve që ende jam në klub. Kam raporte shumë të mira me të dhe ai po me ndihmon çdo ditë si në fushë ashtu edhe jam fushe. I jam falënderues i madh, sepse për lojtarin është lehtë kur e ka një trajner i cili i jep besim dhe liri në fushë”.

Xhaka ka thënë se detyra e tij në fushë është e thjeshtë, ta ndihmojë ekipin dhe për këtë arsye mundohet ta japë më të mirën nga vetja. Pikërisht, kjo detyrë që ia ka caktuar trajneri Arteta, ka bërë Xhaka që të ndihet si lojtar shumë i rëndësishëm tek Arsenali.

“Për momentin po ndihem si lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin. Gjithashtu, me mua janë të kënaqur si stafi i ekipit ashtu edhe trajneri”, është shprehur Xhaka.

Reprezentuesi zviceran gjithashtu shtoi se po ndihet mirë në mesfushë përkrah ganezit Thomas Partey, i cili iu bashkua Arsenalit para fillimit të këtij edicioni nga Atletico Madridi. Mirëpo lëndimet e shpeshta të Parteyt këtë edicion kanë bërë që ganezi t’i ketë vetëm 12 ndeshje me fanellën e Arsenalit, ku ka kontribuar vetëm me një asistim.

“Me vjen keq që nuk kemi luajtur më shumë ndeshje së bashku, pasi ai pati dy lëndime të mëdha. Mirëpo në ndeshjet që i kemi luajtur bashkë, mund të them se kemi pasur lidhje të mirë me njëri tjetrin dhe se Partey është një mesfushor i mirë që i sjell ekipit siguri”, tha Xhaka. “Shkojmë shumë mirë së bashku, jo vetëm në fushë dhe kjo është me rëndësi”.

Xhaka në verën e vitit 2016 iu bashkua Arsenalit nga Borussia Moenchengladbachu, kurse këtë sezon ka shënuar një gol dhe ka bërë dy asistime në 29 paraqitje në të gjitha garat. Arsenali, të enjten prej orës 18:55 do të përballet me Benfican në Greqi dhe Xhaka ka thënë se synimi i “Topçinjëve” është të kualifikohen në 1/8 e finales të Ligës së Evropës.