Sport

Vukshinaj bokson sot në Gjermani, llogarit në fitore

Prishtinë, 19 shkurt – Faton Vukshinaj kthehet në ring pas më shumë se një viti dhe shpreson që kthimi të jetë i suksesshëm. Boksieri kosovar që karrierën e zhvillon në Zvicër, të shtunën (sot) përballet me Alexander Rigas në Gjermani.

Vukshinaj, 29-vjeçar, së fundi kishte boksuar më 14 dhjetor të vitit 2019, kur në Fribourg të Zvicrës e mposhti Frane Radniqin. Vukshinaj në karrierë ka 11 fitore e dy barazime. Shtatë prej fitoreve i ka me nokaut. Gjermania Rigas ka fituar 12 duelet e deritashme, ndërsa mban disa tituj të vegjël.

Për shkak të koronavirusit, Vukshinaj nuk ka zhvilluar asnjë duel në vitin 2020. Kështu është ndërprerë edhe rrugëtimi i tij drejt majës së boksit ndërkombëtar.

“Nuk ishte kohë e lehtë. Luftërat e parapara për vitin e kaluar janë anuluar dhe nuk e kam ditur se kur do ta kem rastin për t’u paraqitur në ring. Ishte e rëndësishme për mua që të jem i gatshëm gjithë kohën që të pranoj ofertën e duhur”, ka thënë Vukshinaj.

“Jam i përgatitur mirë për duelin në Gjermani. Presim fitore natyrisht. Meçi është në kategori të mesme. Me gjithë telashet me pandemi, jam përgatitur mirë. Natyrisht që meçet më kanë munguar në këtë periudhë. Por shpresoj për një fitore që të hap rrugën për duele edhe më të mëdha”, ka theksuar Vukshinaj për KOHËN.

Ai do të kalojë një kategori më lart, atë super të mesme, për meçin e së shtunës. Por këtë nuk e sheh problem. Thotë se në boksin profesionist sfidat janë për t’u kaluar. Pra, edhe ato me peshë.

“Do të jetë një luftë normale. Do të jap më të mirën për fitoren e ardhshme dhe ngritjen në një shkallë më të lartë”, ka theksuar boksieri kosovar.