Sport

Seria pozitive shihet si garanci suksesi te Prishtina

Prishtinë, 19 shkurt – Serinë e nisur në fillim të muajit nëntor, skuadra e Prishtinës synon ta mbajë deri në fund të këtij sezoni në Superligën e Kosovës në futboll. Prishtina nuk di për humbje në njëmbëdhjetë ndeshjet e fundit kampionale, kurse serinë e suksesshme e konfirmoi të premten në duelin e xhiros së 20-të, kur triumfoi bindshëm në udhëtim ndaj Arbërisë me rezultatin 4:0.

Për Prishtinën kjo ishte fitorja e tetë gjatë serisë pozitive, kurse ka edhe tri barazime. Ky rrugëtim u fillua në ditët e para të nëntorit, pikërisht ndaj Arbërisë. Humbja e fundit e Prishtinës daton më 1 nëntor të vitit të shkuar, kur pësoi në udhëtim nga Drenica (1:0) në ndeshjen e xhiros së dhjetë.

Prej xhiros së njëmbëdhjetë, Prishtina nuk di për humbje, kurse në fund të dhjetorit e luajti edhe një ndeshje të mbetur me Dritën (1:1). Falë kësaj serie renditet e treta në tabelë me 38 pikë, gjashtë më pak se Drita që prin dhe tri më pak se Ballkani që renditet i dyti, por që kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.

Sulmuesi i Prishtinës, Alban Shillova, pranon se synimi i ekipit të tij është titulli i kampionit, trofe që “bardhekalltrit” nuk e kanë fituar prej vitit 2013. Dhe, sipas Shillovës, titulli mund të kthehet në Prishtinë vetëm nëse mbahet ky ritëm i ndeshjeve pa humbje. Ai beson se Prishtina ka cilësi për ta mbajtur këtë seri deri në fund të sezonit, edhe pse nuk do të jetë lehtë. Ndeshjen e radhës Prishtina e luan mesjavën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Dritës, ekip që këtë edicion ka seri më të gjatë prej 12 ndeshjeve pa humbje. Këtë vit, në dy ndeshje zyrtare përballë Dritës, Prishtina ka dy fitore. E mposhti në Superkupë si dhe e eliminoi në 1/8 e finales të Kupës së Kosovës.

“Po, të them të drejtën tashmë e kemi kuptuar filozofinë e trajnerit tonë dhe normal që kemi pritur rezultate pozitive dhe një seri kaq të suksesshme. Normalisht synimi është që ta vazhdojmë këtë seri të mirë sa më gjatë që të jetë e mundur, pse jo edhe deri në fund të edicionit”, ka deklaruar Shillova për KOHËN, duke shtuar se vetëm në këtë mënyrë mund të sfidohet titulli i kampionit. “Edhe në ndeshjen me Dritën synojmë rezultat pozitiv. Çdo ndeshje kundër Dritës është e vështirë, por ne do t’i qasemi duelit të radhës sikurse dy të parëve të këtij viti që i fituam. Pra, me seriozitetin dhe angazhimin më të madh, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të marrin rezultat të mirë”.

Edhe trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, është i kënaqur me formën e ekipit të tij. Megjithatë, Ramadani, pas fitores së thellë ndaj Arbërisë, shtoi se do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë që mos të ndalen me kaq. Prishtina ishte superiore në duelin e luajtur në fushën me bari sintetik në Ferizaj dhe e dominoi tërësisht Arbërinë. Leonit Abazi (9’, 20’), Leotrim Kryeziu (37’) dhe Besnik Krasniqi (91’) shënuan golat për fitoren e 11-të në total të Prishtinës këtë sezon.

“Patjetër që jam shumë i kënaqur me lojën, por edhe rezultatin. Pjesa e parë ishte më efektive pasi shënuam tre gola, kurse në pjesën e dytë vetëm e menaxhuam rezultatin. Përgëzoj futbollistët për këtë paraqitje sepse kur fiton ndeshjen pa pësuar gola është triumf i rëndësishëm”, u shpreh Ramadani.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë pasi jemi në rrugën e duhur, por nuk duhet të jemi të kënaqur për asnjë moment”.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, pranoi superioritetin e Prishtinës përballë skuadrës së tij. Madje, Morina shtoi se në këtë takim, që u luajt të premten dhe e hapi xhiron e 20-të, nuk funksionoi asgjë tek Arbëria.

“Fillimi, ashtu sikur edhe mbarimi i ndeshjes, ishte i keq. Ne nuk reaguam pas asnjë goli të pësuar. Asgjë nuk funksionoi në ekipin tonë dhe ky është dështimi im, pasi ndoshta mund ta kem bërë përzgjedhjen e gabuar për këtë takim. Prishtina dominoi totalisht dhe shënoi fitore të merituar”, është shprehur Morina.

Te Prishtina, krahas titullit të kampionit, synim këtë edicion e kanë edhe triumfin në Kupën e Kosovës. Në fakt, Prishtina po synon ta mbrojë trofeun e fituar vitin e shkuar dhe tashmë ka arritur të kualifikohet në mesin e tetë skuadrave më të mira të kësaj gare. Në çerekfinale, Prishtina do të përballet me Feronikelin në Drenas në muajin e ardhshëm, kurse fituesi përcaktohet me një ndeshje.