Sport

Evertoni insiston për Rabiotin

Evertoni nuk e ka ndërmend të heq dorë nga transferimi i mesfushorit të Juventusit, francezi Adrien Rabiot, përcjellë të martën “Daily Mail”.

Në fakt, mësohet se është trajneri i Evertonit, Carlo Ancelotti që po insiston në transferimin e francezit këtë verë. Raportohet se Evertoni është i gatshëm të paguajë dëmshpërblim deri në 30 milionë euro vetëm për ta bindur Juventusin në lirimin e Rabiotit, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Ancelotti.

Rabiot 25-vjeçar ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2023, kurse këtë sezon ka shënuar një gol e ka bërë një asistim në 28 paraqitje në të gjitha garat.

Ai është pjesë e Juventusit prej verës së vitit 2019 kur iu bashkua nga Paris Saint-Germaini si futbollist i lirë.