Sport

Dy barazime dhe akuza të menjëhershme në drejtim të arbitrave

Descriptive Text

Të shtunën ka nisur stinori pranveror i Superligës së Kosovës në futboll. Java e 19-të, e para për pjesën e dytë të kampionatit, është luajtur në mot të ftohtë dhe fusha të mbuluara me borë. Kushtet nuk ishin të zakonshme për kampionatin e Kosovës në futboll, por ka pasur diçka tjetër të zakonshme – akuzat në drejtim të tjerëve për dështimet në arritjen e rezultateve. Derisa ndonjë trajner ka hedhur fajin te lojtarët, ai i Feronikelit, Klodian Duro, ka akuzuar direkt arbitrin për lëshimin e pikëve në ndeshje si vendas.

Federata e Futbollit e Kosovës mburret që i ka dhjetë gjyqtarë me stema të FIFA-s, tre kryesorë dhe shtatë anësorë. Por, edhe ndaj tyre anëtarë të klubeve kanë akuza herë pas here. Dhe akuzat për gabime të arbitrave dhe ndikim të tyre në rezultat janë të rregullta në futbollin kosovar.

Një e tillë ishte edhe të hënën. Pas barazimit 1:1 të Feronikelit kundër Gjilanit, duel që u luajt të hënën në Drenas, trajneri i Feronikelit, Klodian Duro, akuzoi direkt gjyqtarin Dardan Çaka.

Duro tha se Çaka i ndihmoi Gjilanit që të marrë një pikë.

"Ne nuk na mund askush me futboll, përveç arbitrave. Të dhurosh faul, e pastaj të bjerë goli, nuk është mirë. Gjilani nuk ka nevojë që ta ndihmojë askush që të shkojë te goli, pasi mund të shkojë vetë. Unë kam respekt për Dardan Çakën, por nuk e di çka pati sot, sidomos në pjesën e dytë ishte agresiv. Dha më shumë faule në favor të Gjilanit dhe e ndihmoi ta marrë një pikë sot. Ne i meritonim pikët e plota”, tha Duro pas ndeshjes, i revoltuar me ndarjen e drejtësisë. I njëjti trajner kishte bërë kritika për ndarje të drejtësisë në stinorin vjeshtor edhe në studiot televizive.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Komisioni i Gjyqtarëve të futbollit, organ ky që vepron në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur gjatë së hënës.

Megjithatë, më 7 shkurt, Komisioni i Gjyqtarëve ka mbajtur seminar me gjyqtarët e Superligës dhe Ligës së Parë. Aty ligjëroi instruktori i UEFA-s, Sokol Jareci.

Përveç sistemit VAR që po planifikohet të vjen shumë shpejt në Kosovë, në seminar janë diskutuar edhe shumë tema tjetër. Ishte thënë se gjyqtarët janë të gatshëm për stinorin pranveror.

“Ky seminar vjen pas testeve fizike, të cilat gjyqtarët arritën t’i kryejnë me sukses gjatë mesjavës. Në hap me projektin e presidentit Ademi që VAR-i të implementohet në afatin sa më të shkurtër të mundshëm, temë bosht e këtij seminari ishte pikërisht implementimi i protokollit VAR. Tema të tjera të këtij seminari ishin edhe ndërhyrjet në zonën e 16-metërshit, bashkëpunimi dhe puna në grup dhe loja me dorë, ku gjyqtarët u udhëzuan mbi interpretimet më të reja të rregullave të lojës. Andaj, Komisioni i Gjyqtarëve siguron se gjyqtarët janë të gatshëm për përmbushjen e detyrave të tyre në ndeshje”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Akuza të rënda pati në stinorin vjeshtor, ndërsa edhe më keq pritet të jetë në pranverë kur gara forcohet si për titull ashtu edhe për pozitat tjera.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina dhe presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka ishin më të zëshmit. Ata akuzuan disa herë se gjyqtarët po i vendosin ndeshjet. Madje, Zeka thotë se shumë pikë 89-shit ia kanë humbur gjyqtarët. Pasuan dënime ndaj Batatinës dhe Zekës në të holla.

“Unë pres që në pranverë të mos na ndodhin gjërat të cilat na ndodhën në vjeshtë. Si ekip jemi dëmtuar në katër ndeshje, ku na janë humbur tetë pikë. As tani nuk e dimë se përse jemi dëmtuar kaq shumë, askush nuk na ka dhënë sqarime asnjëherë”, kishte thënë Zeka me 14 janar. Ndërkohë, Batatina kishte kërcënuar edhe me largim nga kampionati, por që më vonë kishte ndryshuar mendje.

Akuza pati edhe nga ish-trajneri i Gjilanit, Gentia Mezani dhe presidenti i këtij klubi, Florim Zuka. Mezani kishte thënë në fund të kampionatit të kaluar se Gjilani ishte kampion i vërtetë e jo klubet që u ndihmuan nga FFK-ja.

“Federata duhet të mos lejojë të bëhen këto maskarallëqe që janë bërë këtë sezon, duhet të luhet vetëm brenda fushave. Nuk mund të tallet askush me djersën e askujt, Gjilani është shembull se si duhet të luhet pastër. Ka jashtëzakonisht raste që duhet të merren parasysh edhe nga Prokuroria”, kishte deklaruar Mezani pas ndeshjes kundër Ballkanit që ishte mbyllur 2:2.

Edhe presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, kritikoi ashpër jo vetëm gjyqtarët, por edhe drejtuesit e FFK-së. Ai kishte thënë për KOHËN se të gjitha delegimet e gjyqtarëve bëhen me direktiva të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.

Ejupi u suspendua me një vit, pa të drejtë të kryejë funksion në klub, shkaku i deklaratave të dhëna në media që kritikonin punën e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ndërkohë në fund të sezonit të kaluar (2019/2020), Prishtina kishte lajmëruar përmes faqes zyrtare se do të tërhiqet nga garat pas ndeshjes me Gjilanin, të cilën e humbi 1:0 dhe në atë takim i fajësonte gjyqtarët. Pas ndeshjes, Policia e Kosovës kishte përdorur sprej në drejtim të zyrtarëve dhe lojtarëve të Prishtinës. Por, kërcënimi natyrisht nuk u realizua.

Kërcënime të tilla nuk përjashtohen as këtë edicion, ndonëse ato gjithnjë mbesin vetëm fjalë.

Të hënën u luajt edhe ndeshja në mes të Trepçës ’89 dhe Arbërisë që po ashtu përfundoi 1:1.