Sport

Messi mund t’i bashkohet PSG-së në verë

Mediumi francez “L’Equipe” ka raportuar të hënën se Lionel Messi mund të transferohet te PSG-ja në verë.

Madje, ky medium jep edhe katër arsye të cilat mund ta dërgojnë argjentinasin te Parisi.

E para ka të bëjë me kontratën e Messit, e cila i skadon në verë dhe ai do të jetë lojtar i lirë.

Transferimi i tij do të ishte i papërballueshëm për klubin francez, kurse tani mund ta marrin pa pasur nevojë që të paguajnë dëmshpërblim.

E dyta, është raportuar vazhdimisht që Neymari do të rikthehet te Barcelona për t’u bashkuar sërish me Messin. Megjithatë, kjo vështirë të ndodhë shkaku i gjendjes financiare te Barça. Andaj një ribashkim mes Messit e Neymarit mund të ndodhë te Parisi.

Aryseja e tretë që “L’Equipe” e përmend është se Messi do të dëshironte të jetë nën urdhrat e trajnerit Mauricio Pochettino dhe do të dëshironte të luante me Di Marian dhe Paredesin.

Si dhe e fundit ka të bëjë me Kylian Mbappen, të cilit i skadon kontrata në verën e vitit 2022 dhe ka refuzuar ta vazhdojë atë. Me shitjen e Mbappes, Parisi mund të sigurojë mjetet financiare, të cilat nuk do të ishin problem për PSG-në.