Sport

Kryeziut nuk i besuan te Liria, por ai tani e pret verën për të kaluar në futbollin evropian

Prishtinë, 12 shkurt – Almir Kryeziu po vlerësohet nga njohësit e futbollit si zbulim i sezonit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll. Njëri ndër lojtarët më të shpejtë të ligës vesh fanellën e Arbërisë nga Dobraja e Lipjanit. Falë paraqitjeve të mira me skuadrën që po drejtohet nga trajneri Arbnor Morina, Kryeziu ka rënë në sy edhe të menaxherëve të ndryshëm. Për të janë të interesuar disa klube nga ligat evropiane.

22-vjeçari ka thënë për KOHËN se ofertat që i ka pasur në janar do t’i shqyrtojë seriozisht në verë. Ai nuk ka dashur të zbulojë emrat e klubeve të interesuara për të.

“Ofertat që i kam pasur në Antalia, atje ku e kemi kryer fazën përgatitore për stinorin pranveror dhe kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore, kanë ardhur nga Belgjika, Turqia dhe Gjermania. Unë kam kontratë me Arbërinë dhe do të jem pjesë e kësaj skuadre deri në fund të sezonit dhe do të jap më të mirën për ta ndihmuar ekipin që të arrijë objektivat që ka. Sa u përket ofertave që kam pasur, e kemi lënë për në verë. Atëherë do të bisedojmë dhe do të shohim se çka do të ndodhë”, tha Kryeziu.

Golat, asistimet dhe depërtimet që bën Kryeziu i kanë rënë në sy edhe ish-përzgjedhësit të Kosovës U21, Rafet Prekazi. Ai ia dha rastin Kryeziut, i cili debutoi me shpresat e Kosovës kundër Shqipërisë U21, më 13 nëntor.

“Meritat për formën time i kanë stafi i trajnerëve, bashkëlojtarët, si dhe menaxheri im Jahir Krasniqi. Këtë sezon e cilësoj si një shpërthim në karrierën time. Jam shumë i lumtur që kam bërë paraqitje të mira në Superligë, Ftesa e Kosovës U21 ishte një ndjenjë e papërshkrueshme . Falë performancës sime të mirë që kam pasur në Superligë me Arbërinë, kam shpresuar për një ftesë të Kosovës U21”, deklaroi Kryeziu, i cili ndaj Shqipërisë luajti 21 minuta. U paraqit 45 minuta kundër Turqisë U21.

Kryeziu theksoi se Liria e Prizrenit, klubi në të cilin është rritur, nuk i ka dhënë hapësirë që të paraqitet në ekipin e parë. Ndërkohë te Arbëria erdhi nga Xërxa, klub i fshatit të tij të lindjes.

“Unë e kam kryer shkollën e futbollit në klubin e Lirisë së Prizrenit. Aty nuk më kanë dhënë rastin që të luaj për ekipin e parë. Më pas jam transferuar për gjashtë muaj në Rahovec, kurse më pas jam kthyer dhe kam luajtur për fshatin tim, Xërxë. Pas paraqitjeve të mira aty kam kaluar në Arbëri, ku jam edhe tani”, u shpreh Kryeziu.

Ai beson se Arbëria pa problem do ta sigurojë mbijetesën në Superligën e Kosovës në futboll. Kryeziu ka shënuar një gol dhe ka bërë katër asistime për Arbërinë në stinorin vjeshtor. Skuadra nga Lipjani renditet në vendin e gjashtë me 21 pikë të mbledhura pas 18 ndeshjeve të luajtura. Ekipi lipjanas ishte edhe në garën e Kupës, por në 1/8 e finales u eliminua nga Feronikeli me rezultat 1:0.

Një problem i madh i Arbërisë është se stadiumi i saj në Dobrajë ende nuk është gati. Andaj, sikurse në stinorin vjeshtor, në pranverë do të luajë si vendase jashtë Lipjanit. Fillimisht luajti në Obiliq, pastaj në Prishtinë, kurse në pranverë Arbëria do të jetë vendase në Ferizaj, në fushë me bari sintetik.