Sport

UEFA shkruan për Bardhin e Shaqirin

Sajti zyrtar i UEFA-s e ka paraqitur Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut të premten, në kuadër të serisë së prezantimit të përfaqësueseve që marrin pjesë në Evropianin e këtij viti.

Maqedonia e Veriut është kualifikuar për herë të parë në ngjarjen e madhe të futbollit, ndërsa në gjysmëfinale të plejofit e kishte mposhtur Kosovën. Në plejof arriti përmes suksesit në Ligën D të Ligës së Kombeve dhe tani do të jetë në Evropian, ku lehtë ka mundur të jetë Kosova.

UEFA si lojtar kyç të Maqedonisë së Veriut i ka vlerësuar kapitenin Goran Pandev dhe Enis Bardhin. Bardhi i ka 31 ndeshje dhe pesë gola për Maqedoninë e Veriut.

“Mesfushori i Levantes ofron pasim të mirë dhe kreativitet, ndërsa është i rrezikshëm edhe para portës. Ai shquhet për goditjet e dënimit. Sipas statistikave ai është realizatori më i mirë nga goditjet e dënimit në La Liga, së bashku me Lionel Messin. Pasi ka marrë pjesë në Evropianin U-21 në vitin 2017 në Poloni, Bardhi po ashtu ka përvojën e turneve përfundimtarë”, ka shkruar UEFA.

Prej momenteve më të mira në histori të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut është vlerësuar edhe një gol i Artim Shaqirit, një prej lojtarëve më të mirë të këtij vendi.

“Goli i Artim Shaqirit direkt nga korneri ndaj Anglisë në kualifikimet për Euro 2004 është njëri prej momenteve që kanë mbetur në kujtesë”, shkruan UEFA.

Maqedonia e Veriut, që në përbërje pritet t’i ketë së paku gjashtë futbollistë shqiptarë, është në Grupin C së bashku me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë. Ndeshjen e parë Maqedonia e Veriut e luan më 13 qershor ndaj Austrisë në Bukuresht.