Sport

Lidhja e fuqishme e Bayernit me futbollistët francezë

Descriptive Text

Lidhja e fuqishme e Bayernit me futbollistët e Francës ka nisur në mesin e viteve nëntëdhjeta me ardhjen e Jean-Pierre Papinit. “Koalicioni” franko-bavarez u forcua tutje gjatë viteve 2000, kur Bixente Lizarazu, Willy Sagnol e Franck Ribery shkuan gjurmëve të Papinit.

Sot lidhja është në zenit me hiç më pak se gjashtë francezë që japin kontributin e tyre për kampionin e Evropës dhe kampionin e botës për klube të futbollit.

Gjurmën e tyre francezët e lanë edhe në finalen e Botërorit për klube, të enjten. Fituesi i Ligës së Kampionëve të UEFA-s u sfidua nga Tigres UNAL i Meksikës, para se një gol i Benjamin Pavard të vendoste ndeshjen. Pavard ishte njëri prej pesë francezëve në ekipin gjerman.

Bayerni duket të jetë në qiellin e shtatë me francezët e tij, ashtu siç statistikat e shumta e dëshmojnë.

Suksesi i së enjtes është i veçantë sidomos për francezët Corentin Tolisso, Lucas Hernandez e Benjamin Pavard. Ata fituan Botërorin me Francën në vitin 2018 dhe kjo nënkupton se aktualisht janë kampionë në fuqi në shtatë gara të ndryshme. Bayerni ka mbledhur gjithë trofetë e vitit të fundit. Para Botërorit të klubeve fitoi Ligën e Kampionëve, Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Evropës dhe Superkupën e Gjermanisë.

Në fakt numri i francezëve që kanë luajtur për Bayernin këtë edicion është shtatë, shkruan sajti i FIFA-s. Michael Cuisance, që luajti në ndeshjen hapëse ndaj Schalkes, ka lëvizur ndërkohë për te Marseille. Por në skuadrën e madhe mbesin Kingsley Coman, Tolisso, Pavarad, Hernandez, Tanguy Kouassi dhe Bouna Sarr.

Numri shtatë lidhet edhe me golin e shënuar nga Pavard në finalen e Botërorit të klubeve, të enjten. Ai është bërë francezi i shtatë që ka realizuar gol në këtë garë pas Nicolas Anelkas, Jonathan Biabianyt, Franck Riberys, Karim Benzemas, Bafatimbi Gomisit dhe Andre-Pierre Gignac.

Shtatë ishte edhe numri i fanellës së Riberyt te Bayerni. Ai kaloi 12 vjet në klubin bavarez dhe fitoi nëntë tituj të kampionit, duke vendosur rekord për lojtarë të huaj. Ribery është ikonë e Bayernit, ndërsa ka realizuar 119 gola dhe 185 asistime në 425 ndeshje.

Bixente Lizarazu është një tjetër francez që ka lënë gjurmë te Bayerni. Ai kishte shënuar shtatë gola me fanellën e klubit gjerman. Mbrojtësi i majtë kishte kaluar vitet më të mira të karrierës në Bavari. Lizarazu ka luajtur tetë edicione gjithsej për Bayernin, sa edhe francezi tjetër Willy Sagnol, po ashtu mbrojtës dhe shumë i pëlqyer nga Bayerni.

Aq të sakta ishin krosimet e Sagnolit saqë ai ishte quajtur “Zoti i krosimeve” (Flankengott).

“Bayerni, si të gjitha klubet gjermane, i do francezët. Klubi rekruton të rinj francezë pasi ata janë lojtarë të kompletuar, sidomos sa i përket njohjes taktike, leximit të lojës dhe teknikës individuale. Francezëve ndonjëherë iu duhet kohë për t’u përshtatur, pasi këtu ka disiplinë dhe gjëra strikte, që nuk janë te ne në Francë. Por sapo të përshtaten, djemtë kanë argëtim. Më pas krijohet lidhje e veçantë me klubin. Është si një familje”, ka thënë Willy Sagnol.

Shtatë vjet kishte pritur Valerien Ismael për t’u bërë gjerman i natyralizuar. I injoruar nga përfaqësuesja franceze, ai bëri kërkesën për natyralizim në vitin 2006 me shpresë për të luajtur për Gjermaninë në Botërorin e atij viti. Por kjo nuk ndodhi. Ish-mbrojtësi i Bayernit, që shënoi dy gola në 46 ndeshje nga viti 2005 e deri në vitin 2007, shtetësinë e Gjermanisë e mori vetëm në vitin 2013.

“Për kohë të gjatë klubi ka ditur si të integrojë lojtarët nga Amerika e Jugut, por jo nga pjesët e tjera. Sot të gjithë mendojnë se francezët janë të besueshëm. Lizarazu dhe Sagnol ishin ata që nisën këtë lidhje dashurie. Nëse një lojtar emocional si Riberi ka mundur të lulëzonte atje, kjo ndodhi për faktin se klubi është familje. Është i përsosur për koloni franceze të futbollit”, ka thënë Valerian Ismael, përcjell sajti zyrtar i FIFA-s.