Sport

Kosova pa garues në disiplina të shpejtësisë, suksesi kërkohet në garat e javës tjetër

Muajin e shkuar skitari Albin Tahiri përfundoi dy herë shtegun në disiplinën Super G. Herën e parë zuri vendin e 98-të nga 176 garues, ndërsa në të dytën zuri vendin e 102-të nga 176 garues, në po të njëjtën disiplinë, në garën që u mbajt në Lambecht të Austrisë.

Gara në Austri ishte e vlefshme edhe për pikë olimpike, përkatësisht për të fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore “Beijing 2022”.

Por Tahiri nuk arriti të marrë asnjë pikë në disiplinën Super G, disiplinë që ndryshe njihet si garë “e shpejtë”.

Ishin dy lëshimet e para të Tahirit që prej vitit 2019 në Super G. Nuk ishin më të suksesshmet, por as në të kaluarën nuk ka pasur suksese të mëdha në këtë disiplinë. Për shkak të mungesës së pikëve të mjaftueshme skitari, që vlerësohet më i miri i Kosovës, nuk u lejua të marrë pjesë në disiplinën Super G në Kampionatin Botëror të skijimit që po mbahet në qendrën skitare Cortina D’ampezzo në Itali.

Tahiri nuk është i vetmi garues i Kosovës që ka udhëtuar në Itali për pjesëmarrje në botëror. Bashkë me të janë edhe Arbi Pupovci dhe Fiona Rusta Blaka. Të tre skitarët ka disa ditë që janë vendosur në qendrën e skjimit, Cortina d’Ampezzo, por vetëm javën e ardhshme, saktësisht më 18 shkurt, do të hyjnë në garat kualifikuese. Të tre në disiplina tjera, meqë asnjëri prej garuesve aktualisht nuk ka pikë për të qenë pjesëmarrës në disiplinën Super G.

“Albini nuk ka marrë pjesë, sepse nuk ka arritur të fitojë pikët e nevojshme për disiplinën Super G. Kur kemi ardhur e kemi ditur që nuk mund të marrë pjesë. Ende janë disiplinat e shpejta. Fiona është kualifikuar direkt në garën për sllallom të madh, sepse nuk ka numër të mjaftueshëm të garuesve. Do të garoj në sllallom të madh më 18 shkurt. Ndërsa Arbi dhe Albini kualifikimet e para i kanë më 18 shkurt në sllallom të madh”, ka thënë përzgjedhësi i meshkujve, Agim Pupovci, të enjten për KOHËN.

Pos garave në sllallom të madh, të dy garuesit do të marrin pjesë edhe në disiplinën e sllallomit.

Përzgjedhësi Pupovci thotë se do të ishte i kënaqur nëse ndonjë prej garuesve do të arrinte pjesëmarrjen në finale. I kënaqur thotë se duhet të jenë edhe me pjesëmarrje me garues të nivelit botëror.

“Shpresoj të kualifikohen për garat kryesore finale dhe të arrijnë deri në 50 vendet në të dyja disiplinat, sllallom dhe sllallom të madh. Sipas kushteve dhe investimeve që po i bëjmë për këtë sport, të cilat nuk janë të mjaftueshme, na duhet të jemi të kënaqur që garojmë me elitën botërore të cilët gjatë gjithë vitit merren me skijim”, ka shtuar Pupovci.

Tahiri që jeton në Slloveni, por që përfaqëson Kosovën, pranon se i është ndaluar lëshimi shkaku që nuk kishte pikë të mjaftueshme.

“Nuk kam pasur gara të mjaftueshme këtë sezon për shkak të situatës me koronavirusin. Për këtë arsye nuk kam arkëtuar shumë pikë dhe organizatori i garës ma ndaloi startin. Edhe pse isha i gatshëm dhe doja të lëshohesha për shkak se pista ishte shumë e mirë. Kriteret për start në disiplinat e shpejta të skijimit janë shumë të larta për arsye të sigurisë. Unë kam menduar se do të marr pjesë pasi shumë skitarë nuk kanë pasur gara të mjaftueshme këtë sezon si pasojë e pandemisë. Por, për fat të keq organizatori thotë se nuk ka lidhje që nuk kemi pasur rastin të ndjekim normën pasi rregullat janë të njëjta për të gjithë dhe mbetëm pa startuar”, ka thënë Tahiri të enjten për KOHËN.

Megjithatë, Tahiri insiston se synim ka kualifikimin në Olimpiadën e Pekinit në disiplinën Super G.

“Unë po shikoj përpara për të siguruar kriterin olimpik për pjesëmarrje në Pekin në lëshim dhe Super G, kështu që mund të kthehem sërish në ngjarjet e garave të shpejta”, thotë Tahiri.

Skitari Tahiri e përfaqësoi Kosovën edhe në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018” në Kore të Jugut.

Ai po lufton për të siguruar pjesëmarrjen me normë edhe në Olimpiadën e Pekinit. Ditë më parë normën në disiplinën e sllallomit e fitoi Arbi Pupovci. Normën e ka siguruar pas arritjes së pikëve të duhura në garat e organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë (FIS). Për ta siguruar normën në disiplinën e sllallomit, një garuesi i duhet që në pesë gara zyrtare të FIS-it të arrijë më pak se 160 pikë.

“Unë jam duke e arsyetuar vetën me rezultate dhe jam duke u hapur rrugë fëmijëve që janë nga Kosova. Jam kualifikuar në sllallom, por ka gjasa që këtë vit do ta provoj veten edhe në Super G, ndonëse është e vështirë për ne sepse nuk kemi ku të ushtrojmë nëpër pista për disiplinën Super G. Jam në formë të mirë dhe pres të kem rezultat të mirë. Është paraparë që të mbahen më 18 kualifikimet, por ende nuk është aprovuar. Ka gjasa që të shtyhen, por të shohim. Ne jemi duke u stërvitur maksimalisht”, ka thënë skitari Arbi Pupovci.