Sport

Istogu ia shuan shpresat për Evropë skuadrës së Gjilanit që synim e kishte Kupën

Pas Dritës e Ballkanit, edhe një skuadrës së Gjilanit i janë shuar shpresat për triumf në Kupën e Kosovës në futboll. Në fakt, Gjilani e shihte këtë garë si mundësi të artë për të siguruar daljen në Evropë, por edhe kjo derë i është mbyllur të enjten.

Gjilani me trajnerin Bylbyl Sokoli synimin kryesor këtë edicion e kishte Kupën e Kosovës, pasi në kampionat kanë mbetur prapa, por që nuk ia dolën që të kalonin tutje. E për këtë është përkujdesur skuadra e Istogut që bën gara në Grupin A të Ligës së Parë. Të mërkurën në stadiumin “Demush Mavraj” Istogu triumfoi 2:0 kundër Gjilanit duke shkaktuar befasinë më të madhe në 1/8 e finales të Kupës së Kosovës.

Golat për Istogun i shënuan Yoan Olivier (62) dhe Erjon Qeta (66’), kurse trajneri Nazmi Rama është krenuar se ekipi i tij ka eliminuar nga gara e Kupës skuadrën e Superligës që ka vlerë prej dy milionë eurosh. Istogu stinorin vjeshtor në Ligën e Parë e ka mbyllur në pozitën e katërt në tabelë me 24 pikë.

“Nuk e kam pritur këtë rezultat edhe pse unë si trajner për nga natyra besoj shumë, sidomos në futbollistët e mi. Ne kemi shfaqur një disiplinë dhe angazhim maksimal, e cila na mundësoi edhe ta fitonim ndeshjen. Kemi punuar shumë në aspektin defansiv pasi që e kemi ditur që do të bëjmë me një skuadër që vlen dy milionë euro. Nga fillimi i ndeshjes u kam thënë futbollistëve që të luftojnë, sepse vetëm në mënyrë të tillë mund ta fitojmë ndeshjen. Kupa gjithmonë sjell befasi”, tha Rama.

Eliminimi në kupë ka bërë që Gjilani ta shohë kampionatin si mundësi për dalje në Evropë, por është larg sa i përket garës për titullin e kampionit. Gjilani zë vendin e katërt në tabelë me 29 pikë, 12 më pak se Drita që është e para dhe mundësia e vetme që ekipi i Sokolit të paraqitet sezonin tjetër në Evropë, është të dalë nënkampion sikurse sezonin e shkuar.

Këtë sezon Gjilani për herë të parë u paraqit në Ligën e Evropës duke u eliminuar në raundin e parë kualifikues. Trajneri Sokoli ka deklaruar për KOHËN se futbollistët e tij nuk kanë mundur të tregoheshin efikas në fushën e stadiumit në Istog dhe tani ai po mendon vetëm për kampionat. Ndeshjen e parë të stinorit pranveror të Superligës që nis këtë vikend skuadra e Gjilanit do ta luajë në udhëtim kundër Feronikelit.

“Futbollistet u angazhuan dhe u munduan maksimalisht. Kundërshtari na dënoi me dy kundërsulme. U pa qartë se futbollistët e patën shumë të vështirë në atë fushë të tregohen efikas. Tani po mendoj ta konsolidoj ekipin për gara të mëtutjeshme”, tha shkurt Sokoli.

Lidhur me eliminimin nga Istogu në kupë, në faqen zyrtare të klubit të Gjilanit në Facebook ka pasur shumë reagime negative nga tifozët. Triumfi i Istogut ndaj Gjilanit është cilësuar si befasi e madhe edhe nga trajneri dhe njohësi i futbollit, Erdin Hashani. Sipas tij, pavarësisht synimeve që ka Istogu për inkuadrim në Superligë, ai mendon se Gjilanit nuk i falet ky gabim.

“Humbja e Gjilanit është befasia e Kupës, duke e parë se çfarë lojtarësh cilësorë ka në ekip. Por të mos harrojmë se Istogu si vendas është skuadër shumë e fortë dhe është edhe kandidat që të inkuadrohet në Superligë. Megjithatë, prapëseprapë ky eliminim i falet Gjilanit”, tha Hashani.

Hashani insiston se tani fokusi i Gjilanit do të jetë pozita e dytë në Superligë që dërgon në Evropë. Por Hashani theksoi se edhe ky synim do të jetë vështirë të arrihet.

“Tani fokusi i Gjilanit është vetëm që ta kapë vendin e dytë dhe përmes pozitës së dytë të dalë në Evropë, edhe pse kjo është e vështirë, sepse edhe Prishtina po tregon formë të mirë. Gjilani e kishte mundësinë më të lehtë përmes Kupës për dalje në Evropë pasi përmes kampionatit do ta ketë më të vështirë. E kur kësaj i shtohen edhe Drita dhe Ballkani, të cilat nuk janë më në garë për Kupën e Kosovës, dhe fokusin e kanë vetëm në kampionat, atëherë është shumë e vështirë për Gjilanin”, tha Hashani.

Për dallim prej Gjilanit, skuadra e Feronikelit e siguroi kualifikimin në çerekfinale pasi e mposhti në udhëtim Arbërinë me rezultatin 1:0. Kjo ndeshje u zhvillua në Ferizaj në fushën me bar sintetik dhe golin e fitores për Feronikelin e realizoi Marko Miliçkoviq në minutën e 89-të. Trepça ’89 në 1/8 e finales e ka fituar duelin kundër Ferizajt me rezultat 4:0. Dy gola të Arbnor Mujës (67’, 70’) dhe nga një i Robert Rrahmanit (45’) e Nikson Memës (78’) ia siguruan kualifikimin në çerekfinale skuadrës së trajnerit Shpëtim Idiriz. Fitorja ka mundur të jetë më e thellë. Vendasit humbën edhe një penallti me Ardian Mujën.

Ekipi tjetër nga Liga e Parë që do të luajë në çerekfinale është A&N nga Prizreni që mposhti 1:0 Flamurtarin me golin e Leotrim Gashit (34’). Kualifikimin në çerekfinale të martën e kanë siguruar edhe Prishtina, Llapi e Drenica. Ndërsa çerekfinalisti i fundit i Kupës së Kosovës do të mësohet të enjten në stadiumin “18 Qershori” të Klinës, ku skuadra e Dukagjinit e pret 2 Korrikun prej orës 13:00.