Sport

Muriqi ka nisur ta shfaqë potencialin e tij te Lazio

Romë, 9 shkurt (The Laziali) – Kur Lazio e transferoi Vedat Muriqin për një dëmshpërblim prej 17.5 milionë eurosh nga Fenerbahçe, u bë një deklaratë e fuqishme nga klubi. Ishte një çmim i konsiderueshëm po ashtu – shuma e dytë më e lartë e shpenzuar për ta transferuar një lojtar nën presidentin shumëvjeçar Claudio Lotito.

I vlerësuar shumë edhe nga drejtori sportiv Igli Tare, i cili e përcolli Muriqin për një kohë të gjatë, reprezentuesi i Kosovës ishte mbresëlënës në edicionin 2019/20 te Fenerbahçe në Superligën e Turqisë, ku shënoi 19 gola në të gjitha garat.

Ai njihej si një lojtar i fortë fizikisht, me aftësinë për të fituar topa në ajër – diçka që repartit sulmues të Lazios po i mungonte. Për më tepër, Muriqi si sulmues i katërt shtoi thellësinë dhe sigurinë e nevojshme për trajnerin Simone Inzaghi, pasi Joaquin Correa dhe Felipe Caicedo kishin luftuar për të qëndruar në formë gjatë dy sezoneve të fundit.

Megjithëse kishte shumë bujë për mbërritjen e tij, ka qenë një fillim i pakëndshëm për karrierën e Muriqit në Romë. Një kombinim i dëmtimeve të shumëfishta, duke rezultuar pozitiv edhe për COVID-19 dhe duke mos pasur kohë për t’u përshtatur me mjedisin e tij të ri, bëri që viti 2020 të harrohet për kosovarin. Ai dështoi të tregojë formë të mirë, nuk mund të bënte një pasim të duhur dhe, më e rëndësishmja, u përpoq pa sukses të lidhej me shokët e tij të skuadrës dhe të gjente golin. Në ndeshjen e Lazios kundër Milanit në Serie A, pak para pushimit të Krishtlindjeve, ai nuk arriti të mbrojë një gjuajtje të caktuar në minutat e fundit, që çoi në fitoren e Milanit 3:2. Ai hyri në vend të Correas, i cili mori një dëmtim në pjesën e parë. Gjatë gjithë ndeshjes Muriqit i mungonin intensiteti dhe gatishmëria si dhe nuk mund t’i plotësonte kërkesat themelore.

Sulmuesi humbi duelet për ta fituar topin, u përpoq të mbante topin, u zhvendos në raste të shumta dhe qartë i mungonte besimi. Ndërsa ishte i dobët ndaj Milanit, pushimi erdhi në kohën e duhur për Muriqin, të cilit thjesht i duhej kohë për ta rimarrë veten. Viti i Ri ka qenë një bekim për sulmuesin, i cili ka filluar të tregojë potencialin e tij të vërtetë me Lazion. Ai u paraqit kundër Romës në derbin e qytetit në mes të janarit ku luajti shtatë minuta, por kontribuoi duke fituar duele dhe duke shtyrë përpara ekipin. Më e rëndësishmja ishte se trajneri Inzaghi tregoi besim te kosovari. Në ndeshjen e ardhshme të Lazios kundër Parmas në 1/16 e finales të Kupës së Italisë, e para e vitit 2021, Muriqi pati një paraqitje të fortë përgjatë 90 minutave për ekipin e tij. Ai e përfundoi ndeshjen me një asistim, pasi në minutën e fundit të ndeshjes e fitoi një duel në ajër në zonë, duke e detyruar portierin e Parmas të shënojë autogol, pas një goditjeje të fuqishme. Ishte për të ardhur keq që ai gol nuk iu regjistrua Muriqit, që do të ishte i pari me fanellën e Lazios, por e rëndësishme ishte se ekipi fitoi nga përpjekjet e tij.

Muriqi vazhdoi me një tjetër paraqitje të fortë kundër Sassuolos, pavarësisht se u fut nga banka e rezervistëve në shtatë minutat e fundit të ndeshjes. Ai fitoi duele dhe ndihmoi skuadrën e tij të mbrojë epërsinë e një goli. Ndërsa pritet të shënojë gola, Muriqi tregoi se mund të ndihmonte edhe në mbrojtje. Muriqi pastaj ishte titullar për Lazion në çerekfinale të Kupës së Italisë kundër Atalantas, ku shënoi një gol dhe ishte efektiv paraprakisht. Pavarësisht se Lazio e humbi ndeshjen, sulmuesi më në fund realizoi golin e tij të parë me Lazion, që edhe ishte inkurajues për të, duke pasur parasysh paraqitjet e mira që ka pasur në ndeshjet e fundit.

Në ndeshjen e dytë kundër Atalantas brenda një jave, Muriqi u inkuadrua nga stoli, por e shënoi golin e dytë me Lazion dhe të parin personal në Serie A. Me golin e shënuar, Muriqi kontribuoi në fitoren e ekipit të tij, që iu hakmor Atalantas për humbjen në Kupën e Italisë.

Ndërsa ishte një fillim i ngadaltë për Muriqin me Lazion, ai tani po tregon potencialin e vërtetë. Muriqi ka filluar të tregojë formë të mirë në kohën e duhur dhe ai do të jetë shumë i rëndësishëm, pasi Lazio garon për një vend që edicionin e ardhshëm siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.