Sport

Rahoveci ndan rrugët me Locin

Bujar Loci më nuk është trajner i KB Rahovecit. Klubi i Superligës së Kosovës në basketboll, Rahoveci të hënën ka njoftuar për shkëputjen e kontratës me Locin pas marrëveshjes së dyanshme.

“Pas shqyrtimeve dhe diskutimeve për gjetjen e një rrugëdalje nga këto rezultate, në marrëveshje edhe me trajnerin Bujar Loci, ka vendosur që të shkëpus bashkëpunimit me këtë të fundit. Bordi ka vlerësuar se skuadra po hynë në një fazë kruciale të kampionatit dhe e ka parë të domosdoshëm këtë veprim. Bordi dëshiron ta falënderoj trajnerin Loci për tërë angazhimin në pjesën e parë të kampionatit pasi siç dihet i njëjti e mori drejtimin e klubit në fazë jo të mire”, thuhet në njoftimin e KB Rahovecit në Facebook.

Loci e mori drejtimin e Rahovecit para fillimit të këtij sezoni dhe ekipi aktualisht është në pozitën e katërt në tabelë me 31 pikë të mbledhura pas 19 ndeshjeve të luajtura. KB Rahoveci ka njoftuar se trajneri i ri, do të emërohet brenda pak ditëve.