Sport

Dështon huazimi i Albin Kaprës te Trepça ’89

Futbollisti Albin Kapra nuk do të mund të paraqitet për Trepçën ’89 në stinorin pranveror që nis këtë vikend. Huazimi i mbrojtësit të krahut të majtë te ekipi nga Mitrovica ka dështuar.

Kontrata e Kaprës që e ka me Ballkanin, ia ka pamundësuar huazimin te 89-shi. E një gjë të tillë e ka pohuar për KOHËN edhe 20-vjeçari, i cili e kishte kryer edhe fazën përgatitore me “minatorët”.

"Unë kam kaluar te Trepça '89 në forme huazimi. E kam kryer edhe fazën përgatitore me Trepçën 89. Por shkaku i disa probleme teknike nuk do të mund të luajë për këtë ekip. Arsyeja është se unë kam kontratë me Ballkanin dhe nuk po më lejohet huazimi pasi jam futbollist i këtij ekipi. Për tu bashkuar me 89-shin duhet ta shkëpusë kontratën me Ballkanin. Kështu që, pas bisedimeve të klubeve, është vendosur që unë të mbetem te Ballkani”, deklaroi Kapra.

Ai theksoi se ndihet i dëshpëruar që nuk do të mund të paraqitet për Trepçën ’89.

Megjithatë, Kapra nuk harron të falënderojë të gjithë që e mirëpriten në “Riza Lushta” dhe është i vendosur për të dhënë më të mirën te Ballkani.

“Sigurisht që jam i dëshpëruar pasi kam punuar shumë dhe jam përgatitur të luajë në pranverë me ekipin nga Mitrovica. Tani duhet te kthehem te Ballkani. Sigurisht, do të punoi shumë dhe nuk do të ndalem. Do te jem i gatshëm të jap më të mirën për Ballkanin, nëse më jepet mundësia. Dua ta falënderoj Trepçën ’89 për pritjen fantastike që më kanë bërë gjatë kohës sa kam qenë aty, presidentin Abedin Zeka, shtabin teknik, lojtarët dhe të gjithë të tjerët në klub", tha futbollisti nga Prizreni.

KOHA ka provuar të marr një qëndrim edhe nga të dyja klubeve, Trepça ’89 dhe Ballkani, por asnjëra palë nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.

Albin Kapra ka kontratë me Ballkanin deri në verën e vitit 2023. Si futbollist është rritur te 2 Korriku në Prishtinë, ku ka luajtur për një dekadë.

Ndërkohë, Trepça ’89 dhe klubet tjera kosovare, do të mund të regjistrojnë lojtarë edhe pse është mbyllur afati kalimtar i janarit. Mirëpo, lojtarët duhet të jenë të lirë dhe mos të kenë kontrata me asnjë ekip. Trepça ’89 e kishte të bllokuar afatin kalimtar të janarit pasi ishte dënuar nga FIFA me 29. 300 euro shkaku i lojtarit Franck Betra, për të cilin klubi nga Greqia, PAS Gianina e kishte paditur ekipin mitrovicas duke kërkuar kompensim të trajningut. Pasi e pagoi këtë gjobë, ekipit nga Mitrovica iu lejua regjistrimi i lojtarëve.