Sport

Amerikani Johnson është kthyer për ta përfunduar punën që e la gjysmë

Prishtinë, 6 shkurt – Kur Nigel Johnson u transferua te skuadra e Pejës vitin e kaluar, nuk e kishte pritur që brenda pak muajsh të stolisej me një trofe. Peja e mposhti Golden Eagle Yllin në finalen e Kupës së Kosovës. Dhe, Johnson ishte ndër më të merituarit për këtë sukses të Pejës duke kontribuuar me 20 pikë, 11 asistime e gjashtë kërcime në fitoren 79:64. Për Johnsonin, ky ishte trofeu i parë në basketbollin kosovar. Një vit më vonë, Johnsoni ka mundësinë ta përsërit suksesin e njëjtë, por me një ekip tjetër, Sigal Prishtinën. Johnson muajin e shkuar iu bashkua Prishtinës dhe menjëherë ekipin e ri e udhëhoqi drejt finales të Kupës së Kosovës. Prishtina në finale do të përballet me Yllin, ekip të cilin Johnson e pati mposhtur sezonin e shkuar por me fanellën e Pejës. Megjithatë, plejmejkeri amerikan është i bindur se do ta fitojë trofeun e Kupës së Kosovës edhe këtë herë. Për Johsonin, do të ishte trofeu i dytë, i njëjtë, dhe ai është optimist për fitoren e Prishtinës.

“Po, natyrisht që synimi im është që ta fitoj të njëjtin trofe sërish dhe të bëhem fitues i Kupës së Kosovës dy herë rresht, por me dy ekipe të ndryshme”, ka thënë Johnson të shtunën për KOHËN. Në fakt, Johnson ishte ndër më të merituarit te Prishtina që u kualifikua në finale. Në dy ndeshjet e mëparshme, çerekfinale dhe gjysmëfinale, Johnson ishte më efikasi. Realizoi 32 pikë kundër ish-ekipit të tij, Pejës (90:88) në çerekfinale, derisa shtoi edhe 24 të tjera në triumfin ndaj Ponte Prizrenit (79:75) në gjysmëfinale. Finalja ndërmjet Prishtinës dhe Yllit do të luhet të dielën prej orës 17:30, në palestrën “13 Qershori” të Suharekës, ku po mbahet “Final 8” i Kupës së Kosovës këtë vit që nisi të mërkurën.

Johnson insiston se është kthyer në basketbollin kosovar për ta përfunduar punën që i mbeti në gjysmë edicionin e shkuar. Pas triumfit të Pejës në kupë, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) mori vendim për t’i anuluar garat për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19. Ishte sporti i parë kolektiv që mori një vend të tillë në Kosovë. Kështu që, Johnson tani është kthyer te Prishtina për dy trofetë, Kupën dhe titullin.

“Unë kam besim të madh dhe shpresoj që ta fitojmë trofeun pa asnjë dyshim. Jemi të përgatitur për finale dhe jam optimist se do t’ia dalim mbanë pasi kemi treguar paraqitje të mira”, insistoi Johnson që ka katër paraqitje deri më tani me Prishtinën. “Jam rikthyer në Kosovë për t’i përfunduar disa gjëra që pandemia i ndali në gjysmë. Jam në formë të mirë dhe besoj në sukses me Prishtinën. E rëndësishme është që të luajmë mirë si ekip”, theksoi 26-vjeçari.

Krahas Kupës, Johnson pret që Prishtina të kthehet fuqishëm edhe në Superligën e Kosovës. Aktualisht, Prishtina nuk ka rezultate të mira dhe renditet e gjashta në kampionat. Megjithatë, Johnsonin nuk e brengos ky fakt.

“Jam shumë i lumtur me paraqitjet e mia deri tani. Dëshira ime më e madhe është që ta fitojë secilin trofe deri në fund të sezonit pasi për këtë edhe jam kthyer në Kosovës”, përfundoi Johnson.

Përderisa Prishtina ka triumfuar 14 herë në Kupën e Kosovës, Ylli është në kërkim të suksesit të parë. Për Yllin, kjo është hera e dytë rresht që paraqitet në finale të kësaj gare. Para finales së meshkujve, në Suharekë do të zhvillohet edhe finalja në konkurrencën e femrave. Do të përballen Bashkimi me KosovaHome Prishtinën. Kjo ndeshje nis prej orës 14:00.