Sport

Ylli kërkon trofeun e parë me shpresë për të nisur një periudhë dominimi

 

Prishtinë, 5 shkurt – Pasi kompletuan ekipin në fillim të këtij viti duke transferuar reprezentues të Kosovës dhe lojtarë të huaj, te Golden Eagle Ylli kishin përcaktuar synimet për këtë edicion në basketbollin kosovar. Synimi i parë ishte trofeu i Kupës së Kosovës, kurse i dyti dhe përfundimtar, titulli i kampionit të Kosovës. Janë synime goxha të mëdha për një klub që nuk ka asnjë trofe të fituar.

Por menjëherë të dielën, Ylli ka rastin të fitojë trofeun e parë në histori. Do të luajë në finale të Kupës së Kosovës me Sigal Prishtinën.

Në gjysmëfinale, Ylli të premten triumfoi bindshëm ndaj Rahovecit (87:66), kurse në çerekfinale ishte më i mirë se Bashkimi (74:60). Kundërshtarja e Yllit, Prishtina, në finale arriti pas triumfit ndaj Ponte Prizrenit në gjysmëfinale dhe Pejës në çerekfinale.

Për Yllin, kjo është hera e dytë rresht që kualifikohet në finalen e Kupës së Kosovës. Edhe edicionin e shkuar luajti në finale por pësoi humbje nga skuadra e Pejës. Megjithatë tani tek ekipi nga Suhareka besojnë më shumë se kurrë se kanë mundësinë e artë për t’u kurorëzuar me trofeun e parë. Dhe këtë e pranon edhe trajneri nga Turqia, Fatih Emre Gezer.

“Po shikoj drejt fitores në ndeshjen e ardhshme dhe tërë fokusi im është vetëm në finale”, pranoi Gezer për KOHËN. “Ekipi ka kapacitet të mjaftueshëm për ta fituar këtë trofe por finalja është vetëm një ndeshje dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm. Jam i lumtur që jemi në finale jo vetëm për shkak të lojtarëve, por edhe për shkak të sponsorëve dhe qytetit që po frymon me basketbollin”.

Tek Ylli e duan edhe më shumë këtë trofe për shkak se “Final 8” po mbahet në qytetin e Suharekës. Fillimisht organizimin e kësaj ngjarjeje e kishte marrë përsipër Rahoveci që u tërhoq pas disa pakënaqësive që i kishte ndaj arbitrave. Këtë mundësi e shfrytëzoi menjëherë Ylli që mori përsipër organizimin e kësaj gare që nisi të mërkurën.

“Ne e morëm organizimin e Kupës së Kosovës për shkak se donim ta ngritnim trofeun në qytetin tonë. Prej fillimit tek Ylli synimet kanë qenë të qarta dhe për këtë arsye janë bërë investime në ekip ku kemi katër reprezentues të Kosovës. Besojmë fuqishëm se do ta fitojmë këtë trofe përpara se ta mbyllim edicionin me titullin e kampionit”, ka thënë drejtori sportiv i Yllit, Agron Berisha. “Ylli këtë edicion është futur për t’i fituar dy trofetë dhe jemi optimistë se do t’ia dalim. Ky edicion do të jetë i Yllit. Dëshmia më e mirë është se dy ndeshjet e para të Kupës i kemi fituar bindshëm”.

Ylli muajin e shkuar transferoi dy basketbollistët e Kosovës, Erjon Kastratin e Gëzim Morinën dhe aktualisht në kampionat është lider me 32 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Ponte Prizreni në pozitën e dytë pas 19 xhirove të zhvilluara. Sipas Berishës, ky edicion do të jetë vetëm fillimi i sukseseve të Yllit, të cilat thotë se do të startojnë me triumfin në finalen e Kupës.

“Mund të them se Ylli asnjëherë nuk ka pasur ekip më të fortë dhe më të kompletuar. Pra, një ekip që nuk i mungon asgjë për të fituar trofe. Ka ardhur koha që Ylli t’i gëzojë tifozët besnikë dhe qytetin e Suharekës. Festa e madhe po bëhemi gati që të jetë të dielën”, është shprehur Berisha. “Në fakt ky projekt i Yllit nuk është afatshkurtër. Triumfi këtë edicion do të jetë vetëm si paralajmërim për një Yll të fortë”.

Trajneri turk mori drejtimin e ekipit në dhjetor të vitit të shkuar duke zëvendësuar Dragan Radoviqin që tani është në krye të Sigal Prishtinës. Gezer firmosi kontratë deri në fund të këtij sezoni me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. E krahas trajnerit Gezer, tek Ylli po synojnë që për edicionin tjetër t’i ndalin është shumicën e lojtarëve aktualë. Kjo është ideja e klubit për të pasur një paraqitje sa më dinjitoze në kupat evropiane për sezonin tjetër, që do të ishte hera e parë për Yllin që do të luante në gara të tilla.

“Ne tashmë po punojmë për t’u siguruar që pjesa më e madhe e ekipit aktual të mbetet edhe sezonin tjetër. Këtë na e garanton sponsori stabil që e kemi. Ideja është që edicionin tjetër të bëjmë një përfaqësim dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Me një fjalë, synimet tona janë të mëdha dhe afatgjate”, shtoi Berisha.

Në gjysmëfinale ndaj Rahovecit, skuadra e Yllit nuk lejoi të befasohej, kurse shkëputjen në rezultat e nisi kah fundi i çerekut të dytë përpara se të thellojë epërsi në dy çerekët e fundit. Plejmejkeri Valon Bunjaku me 24 pikë të shënuara ishte më efikasi tek Ylli derisa me pikë dyshifrore në këtë triumf kontribuuan edhe Erjon Kastrati (19) e Elyjah Clark (16). Ndërkohë, Rahovecin nuk e shpëtuan nga humbja as 22 pikët e Arian Qallakut dhe 14 tjerat të Isaiah Traylorit.

“Jemi gati për finale dhe duhet të dalim në parket për të dhënë gjithçka nga vetja që të fitojmë”, tha basketbollisti i Yllit, Erjon Kastrati.

Ndërkohë, në gjysmëfinalen e dytë që u luajt në mbrëmje, Sigal Prishtina triumfoi ndaj Ponte Prizrenit me rezultatin 79:75. Plejmejkeri Nigel Johnson ishte më i dalluari te Prishtina në këtë triumf.

Johnson ndeshjen e përfundoi me 24 pikë, gjashtë kërcime e po aq asistime kurse pikë dyshifrore regjistruan edhe Tevin Mack e Seth Leday. Mack pati 17 pikë e 11 kërcime derisa Leday shtoi 13 pikë e 13 kërcime.

“Më e rëndësishmja është që jemi në finale të Kupës së Kosovës, trofe që kemi dëshirë ta fitojmë. Tash kemi një ditë pushim dhe duhet të jemi gati për finale, ku na pret një kundërshtar shumë i vështirë”, tha trajneri i Prishtinës, Dragan Radoviq, i cili do të luajë kundër ish-ekipit të tij, Yllit, në finale. Radoviq në katër edicionet e fundit ka arritur tri herë në finalen e Kupës së Kosovës me tri ekipe të ndryshme por asnjëherë nuk e ka fituar. Ka humbur me Bashkimin, ekip që e fitoi titullin e kampionit dhe me Yllin.

Në anën tjetër, te Ponte Prizreni, më efikasi ishte Arti Hajdari me 24 pikë të shënuara derisa Jeremiah Paige e Urim Zenelaj shtuan nga 15. Zenelaj pati edhe 15 kërcime. Madje, trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati pas ndeshjes tha se nuk ka dyshim që Ylli do ta fitojë Kupën e Kosovës të dielën.

“Ndoshta dëshira e madhe për fitore dhe mospërvoja bëri që ta humbim ndeshjen përkundër epërsisë që e patëm. Synimi ynë nuk ishte të ndalemi në gjysmëfinale por kjo është kupë dhe gjithçka mund të ndodhë. Tash fokusi do të jetë në kampionat”, tha Rifati. “Përgëzoj Yllin për organizimin dhe nuk kam aspak dyshim se në fund do ta fitojë këtë trofe”.

Finalja e Kupës së Kosovës në konkurrencën e meshkujve do të zhvillohet të dielën prej orës 17:30. Ndërkohë, prej orës 14:00 do të luhet edhe finalja e femrave në të cilën do të përballen Bashkimi me KosovaHome Prishtinën.