Sport

Portieri i Kosovës, më në fund, te një skuadër ku do të aktivizohet

ilburg, 5 shkurt – Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, nuk pati hapësirë në stinorin vjeshtor te Girona. Por, në stinorin pranveror, shtatlarti pritet ketë dukshëm minutazhë më të madhe te Willem II.

Muriq, në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, u huazua tek ekipi elitar i Holandës, Willem II, pas gjashtë muajve të kaluar te skuadra e kategorisë së dytë të Spanjës, Girona. Tek ekipi holandez e kanë pranuar se Muriqi për pjesën e mbetur të këtij edicioni do të jetë portieri i parë. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Zhelko Petroviq, në një intervistë për mediumet holandeze të premten.

Petroviq e ka vlerësuar lart portierin e Kosovës, ndonëse kur iu bashkua skuadrës, te Willem II njoftuan se e kishin huazuar kosovarin pas lëndimit të Robbin Ruiterit, që do të mbetet për një periudhë jashtë fushës.

“Për këtë arsye është dashur të përshtatemi me situatën e krijuar dhe kemi huazuar Aron për pjesën e mbetur të edicionit”, ishin fjalët e drejtorit teknik të Willem II, Joris Mathijsen.

Megjithatë, trajneri Petroviq ka thënë se ka njoftuar portierin tjetër, Jorn Brondeel, që ka 11 paraqitje këtë sezon, se zgjedhja e tij e parë për portën do të jetë Muriq. Në fakt, malazezi Petroviq këtë çështje e ka diskutuar së bashku me trajnerin e portierëve, Haraland Wapenaar. Kështu që, Muriqi do të jetë në portë te Willem II për ndeshjen e së dielës kundër Den Haagut. Willemi këtë edicion po lufton për të mbetur në Eredivisie, pasi zë vendin e 16-të në tabelë me 13 pikë të tubuara pas 20 xhirove.

“Ne tashmë jemi pajtuar që Aro të jetë portieri i parë. Për këtë kam biseduar edhe me Jorn Brondeelin dy herë. Normalisht që ai është i dëshpëruar, por këtë e pranoi në mënyrë profesionale, si një sportist i vërtetë”, është shprehur Petroviq për “ad.nl”. “Aro është një portier fantastik dhe talent i madh. Kështu që do të na ndihmojë shumë deri në fund të sezonit”.

Muriq, 22-vjeçar, para fillimit të këtij edicioni u huazua te Girona nga Manchester City për të pasur minutazhë dhe për të fituar përvojë. Megjithatë, një gafë në ndeshjen e tij të dytë si titullar, që i kushtoi me humbje Gironas, bëri që Muriq të zhvendoset nga porta në bankën e rezervistëve. Ai në total te Girona ka regjistruar gjashtë paraqitje, kurse me Cityn ka kontratë deri në vitin 2024. Muriqi sezonin e shkuar ishte i huazuar tek ekipi i Championshipit të Anglisë, Nottingham Forest, ku gjithashtu nuk pati hapësirë të madhe pas një gafe. Te Nottinghami i pati vetëm pesë paraqitje.

Muriq prej vitit 2018 është reprezentues i Kosovës dhe portier i parë. Ai deri më tani ka 16 ndeshje të zhvilluara me “Dardanët”.