Sport

Henboll, Jupa e Rugova më të mirët e vitit 2020

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK), të premten ka shpallur më të mirët e vitit të kaluar, që ishte i vështirë për shkak të pandemisë por edhe i suksesshëm për hendbollin kosovar. Çmimet kryesore i fituan Kastriot Jupa dhe Albina Rugova.

Pivoti i ekipit Besa Famgas dhe Kosovës, Jupa u shpall për herë të gjashtë hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Ndërkohë aloja e Istogut dhe Kosovës, Rugova, është shpallur hendbollistja më e mirë e vitit 2020. Jupa, gjithashtu ka zënë vend edhe në përbërjen më të mirë të vitit, në të cilën bëjnë pjesë edhe Mursel Mehmeti (Besa Famgas – portieri më i mirë), Lulzim Shabani (Prishtina – aloja e majtë më e mirë), Deniz Terziqi (Prishtina – fundori i majtë më i mirë), Egzon Gjuka (Besa Famgas – qendra më e mirë), Beni Sula (Prishtina – fundori i djathtë më i mirë), Drilon Tahirukaj (Besa Famgas – aloja e djathtë më e mirë). Ndërkohë, Bujar Ramosaj (Besa Famgas) është shpallur sërish lojtari më i mirë në mbrojtje për vitin e shkuar derisa golashënuesi më i mirë ishte Arjanit Hoxha i Llapit me 169 gola.

Çmimi i hendbollistit më të mirë të Përfaqësueses së Kosovës i ka takuar Luigj Qunit, anëtarit të Amicitia Zurich. Te hendbollistet, në përbërjen më të mirë të vitit 2020 kanë zënë vend: Njomza Kelmendi (Vushtrria – portierja më e mirë), Albina Rugova (Istogu – aloja e majtë më e mirë), Burneta Rama (Vushtrria – fundorja e majtë më e mirë), Puhiza Gashi (Kastrioti – qendra më e mirë), Suzana Ujkiq (Istogu – pivotja më e mirë), Shpresa Fazlija (Shqiponja – fundorja e djathtë më e mirë), Albulena Kelmendi (Ferizaj – aloja e djathtë më e mirë). Shkurta Mehmeti (Prishtina) është hendbollistja më e mirë në mbrojtje për vitin 2020, ndërsa Albina Rugova është edhe golashënuesja më e mirë e vitit 2020 me 162 gola.

Hendbollistja më e mirë e Kosovës është shpallur Marigona Hajdari e skuadrës daneze Ringkobing. Klubet kampione, KHF Ferizaj e KH Besa Famgas janë shpallur klubet më të suksesshme të vitit 2020 të femrat dhe meshkujt. Kadeteve KHF Samadrexhës i ka takuar çmimi “klubi më i suksesshëm i vitit”, ndërsa KH Prishtinës te kadetët.

KHF Istogut dhe KH Besa Famgas u kanë takuar mirënjohje të veçanta “për suksesin e arritur në garat evropiane”.

Çmimi i punëtorit sportive të vitit 2020 u është ndarë Fikret Sadikut e Tefik Retkocerit, kurse mirënjohje për vepër jetësore kanë pranuar Rifat Shabani, Ferat Basholli e Ismet Jupa. Ilir Bytyqi e Syart Kasapi janë shpallur gjyqtarët më të suksesshëm të vitit 2020, derisa çmimi i trajnerit më të suksesshëm të vitit 2020 i ka takuar spanjollit të Besa Famgas, Javier Cabanas. FHK-ja ka ndarë edhe mirënjohje e çmime tjera.