Sport

Skuadra kroate që krenohet me shqiptarët

Prishtinë, 4 shkurt – Një numër i madh i futbollistëve shqiptarë e kanë veshur fanellën e Lokomotivës së Zagrebit. Te Lokomotiva numri i shqiptarëve është i madh edhe në këtë edicion. Pati lëvizje gjatë verës, largime të rëndësishme, por shqiptarët vazhdojnë të jenë të pranishëm fuqishëm e të japin kontributin e tyre në futbollin kroat, veçanërisht te nënkampionia e edicionit të kaluar, Lokomotiva.

Vlerësohet se është krijuar “koloni shqiptare” në këtë ekip zagrebas. Këtë e kishte thënë më parë për KOHËN vetë Bozhidar Shikiq, drejtor i klubit.

Lokomotiva e Zagrebit vazhdon t’u jetë falënderues futbollistëve shqiptarë. Të enjten i ka kujtuar edhe ata të cilët djersitën këtë fanellë, por edhe të tjerët që janë në skuadër aktualisht.

Në faqen zyrtare të klubit u njoftua se një delegacion nga Republika e Shqipërisë e ka vizituar Lokomotivën në qendrën sportive. Delegacioni u udhëhoq nga Riza Poda, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kroaci.

“NK Lokomotiva ka kultivuar marrëdhënie të madhe me shokët sportivë nga Shqipëria për shumë vjet. Futbollistët shqiptarë në Lokomotivë kanë treguar se janë profesionistë të mëdhenj, brenda dhe jashtë fushës”, ka shkruar Lokomotiva Zagreb.

“Jemi krenarë që një numër i madh i futbollistëve shqiptarë kanë marrë thirrje nga Shqipëria apo Kosova. T’i kujtojmë ish-futbollistët, si Rrahmani, Grezda, Kastrati, Uzuni. Sot në dhomat e zhveshjes janë Mersinaj, Tuci, Çokaj, Kallaku, janë edhe Tahiraj dhe Maliqi”, shkruhet tutje në komunikatën e klubit kroat.

Shumë prej lojtarëve shqiptarë që kanë bërë karrierë te Lokomotiva e Zagrebit, kanë bërë hapa të mëdhenj në karrierë. Amir Rrahmani pati periudhë te ky ekip, kurse luajti më pas për Dinamo Zagrebin, Hellas Veronën, ndërsa tani është lojtar i Napolit. Eros Grezda nga Lokomotiva shkoi tek Osijeku e më pas te Rangersi në Skoci. Lirim Kastrati iu bashkua në verë Dinamo Zagrebit, kurse Myrto Uzuni po shkëlqen te Ferencvaroshi në Hungari.

Lokomotiva është klub që u jep mundësi të rinjve, sidomos shqiptarëve.

Në të njëjtën rrugë me emrat e njohur është duke shkuar Indrit Tuci. Tuci është qendërsulmues i gjatë 1.91 metra. Është golashënuesi më i mirë i Lokomotiva Zagrebit këtë edicion me tri gola të shënuar në 14 ndeshje të zhvilluara. 20-vjeçari është pjesë e Shqipërisë U-21. Edhe ai i është falënderues skuadrës për mundësinë e dhënë. Iu bashkua ekipit të parë nga të rinjtë më 1 korrik të vitit 2019.

“Lokomotiva më ka dhënë mundësinë të jem pjesë e ekipit në moshë shumë të re dhe në një kampionat shumë të fortë si ai i Kroacisë. Ka qenë një motiv për t’u përmirësuar edhe më shumë”, ka thënë të enjten për KOHËN futbollisti i talentuar i sulmit.

Tuci ishte në seri të mirë në fundin e vitit të kaluar. Shënoi në tri ndeshje rresht, kundër Hajduk Splitit, HNK Goricas dhe Slaven Belupos.

Image

Por, në prag të nisjes së pjesës së dytë të kampionatit në Kroaci, Tuci pësoi dëmtim të rëndë në ligamentin e gjurit në stërvitje. Ky lëndim do ta lërë atë jashtë fushave për një kohë të gjatë.

“Kam pasur një dëmtim shumë të rëndë. Do të qëndroj për një kohë jashtë fushës, por do të mundohem që të jem në fushë sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Tuci, që shpreson të jetë i gatshëm sërish për lojë në muajin gusht ose shtator.

Sezoni i kaluar për skuadrën kroate vlerësohet si më i miri në histori. Lokomotiva doli në vendin e dytë dhe e fitoi vendin për kualifikime në Ligën e Kampionëve, për herën e parë. U eliminua në raundin e dytë kualifikues nga Rapid Vjena me rezultatin minimal 1:0, ndërsa në raundin e tretë kualifikues në Ligën e Evropës, u mposht thellë nga Malmo e Suedisë, 5:0.

Edicioni aktual është larg më i dobët nga i kaluari. Lokomotiva Zagrebi pozicionohet në vendin e nëntë me 15 pikë nga 18 ndeshje, dy më shumë se Istra që është e fundit dhe me një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Transferimet e shumë lojtarëve bënë që të ulet edhe niveli në skuadër dhe të mos jemi konkurrentë për Evropë. Vështirë të flasim për objektiva, por besoj që skuadra do ta synojë mesin e tabelës”, përfundoi Tuci.

Në kampionatin kroat ka edhe shumë shqiptarë të tjerë. Emir Sahiti është pjesë e Shibenikut dhe ka shënuar 6 gola këtë edicion. Arijan Ademi ka një gol të shënuar me Dinamo Zagrebin, por është i padiskutueshëm në formacion, Albi Doka luan te Gorica dhe ka një gol të shënuar, aq sa kanë edhe Sherif Kallaku e Lirim Kastrati i Dinamo Zagrebit.