Sport

Prishtina luan pas pesë ditësh, sulmuesi kryesor i saj po i vazhdon stërvitjet në Nigeri

Prishtinë, 4 shkurt – Otto John po vazhdon stërvitjet në Nigeri për të mbajtur formën, derisa te Prishtina po shpresojnë që sulmuesi t’i bashkohet ekipit me kohë për stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll, që nis javën tjetër.

John të enjten ka luajtur në një ndeshje miqësore për ish-ekipin e tij, 36 Lions FC nga Lagosi, me të cilin po stërvitet për më shumë se një muaj. John është i detyruar të stërvitet me ekipin nigerian, derisa po pret që t’i vazhdohet pasaporta, përpara se të pajiset me lejeqëndrim në Kosovë, për të cilin ka aplikuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Prej kur ka përfunduar stinori vjeshtor, John është në Nigeri, ku u kthye për të vazhduar pasaportën dhe ka mbetur atje për shkak se ende nuk ka përfunduar ajo procedurë, e po ashtu nuk i është dhënë lejeqëndrimi në Kosovë.

John ka humbur fazën përgatitore me Prishtinën, ndonëse trajneri Zekirija Ramadani i ka dhënë një planprogram të cilit ai duhet t’i përmbahet për ta ruajtur formën. Duke pasur parasysh pritjen e gjatë për kompletim të dokumentacionit, te Prishtina i kanë dhënë leje sulmuesit të parë që të luajë miqësore me ekipin tek i cili po e mban formën.

Në fakt, te Prishtina po shpresojnë që John të ribashkohet me ekipin javën tjetër, ndonëse një gjë e tillë është e vështirë. Prishtina menjëherë të martën e ardhshme, më 9 shkurt, luan në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Dritës, në kuadër të 1/8 të finales së Kupës së Kosovës. Ndërsa, tri ditë më vonë, në të njëjtin stadium, e pret Drenicën në kuadër të xhiros së 19-të, me të cilën nis edhe stinori pranveror.

Te Prishtina kanë pranuar se gjasat janë minimale që John të jetë pjesë e ekipit për ndeshjen ndaj Dritës, derisa shpresojnë që ai të jetë i pranishëm për duelin kundër Drenicës. Sipas zyrtarëve të klubit, është çështje ditësh përpara se Ministria e Punëve të Brendshme të lëshojë lejeqëndrimin për Johnin. Megjithatë, John ende nuk ka një datë të saktë se kur pasaporta e tij mund të jetë e gatshme dhe kur do të mund t’i bashkohet Prishtinës.

“Jemi në pritje që të marrim lejeqëndrimin për Otto Johnin dhe Mankendën. Johni vazhdon të mbetet në Nigeri. Ai po stërvitet me klubin amë dhe është paraqitur edhe në një ndeshje miqësore. Besoj që brenda një jave do të marrim lejeqëndrimin dhe Johni do të bashkohet me ekipin. Ndërkaq, Mankenda po stërvitet me ekipin”, ka thënë Kushtrim Sopa, menaxheri i ekipit të parë të Prishtinës. “Nuk besoj që Johni do të jetë me ekipin për ndeshjen e Kupës ndaj Dritës. Ndërkaq, në fillim të kampionatit, besoj që do të jetë me ekipin. Sigurisht do të shikohet forma e tij, e më pas do të shohim se kur mund të luajë. Johni ka pasur plan që i është dhënë nga shtabi teknik për ta mbajtur formën”.

Sulmuesi nigerian në stinorin vjeshtor ishte golashënuesi më i mirë te Prishtina. Në 15 ndeshje kampionale, ai ka shënuar shtatë gola. Prishtina, në fillim të muajit të shkuar, e nisi fazën përgatitore me mungesën e Johnit, pa të cilin udhëtoi në Antalia të Turqisë, ku edhe triumfoi në Superkupën e Kosovës, pasi mposhti Dritën me rezultatin 3:1. John ka qenë lojtar i rëndësishëm i Prishtinës në vjeshtë dhe po shpreson që të jetë në dispozicion të trajnerit Zekirija Ramadani sa më shpejt që të jetë e mundur. 23-vjeçari për KOHËN ka thënë të enjten se po përpiqet maksimalisht që brenda një afati të shkurtër të jetë nën urdhrat e trajnerit Ramadani dhe ta ndihmojë ekipin për të arritur synimin këtë edicion – ta fitojë titullin e kampionit.

“Ende nuk kam një datë të saktë se kur mund t’i bashkohem Prishtinës, por po punoj fort në këtë aspekt dhe shpresoj që sa më shpejt që të jetë e mundur të jem në Kosovë. Pasaporta ime ende nuk është gati, si dhe nuk e kam lejen e punës nga Kosova. Jam në pritje dhe po besoj që sa më shpejt të përfundojë kjo çështje që po zgjat tashmë një kohë të gjatë”, është shprehur John. “Megjithatë, gjatë qëndrimit tim në Nigeri, vazhdimisht kam stërvitur me ekipin tim të parë për ta mbajtur formën. Mendoj se jam në formë të mirë dhe me padurim pres bashkimin me Prishtinën”.

Stinorin vjeshtor, Prishtina e ka mbyllur në pozitën e tretë në tabelë me 32 pikë të mbledhura, nëntë më pak se Drita që doli kampione dimri.

John kishte bërë emër te Trepça ’89, ku shquhej për efikasitet. Më pas luajti te Skënderbeu në Shqipëri, ndërsa Prishtina e transferoi si “garancë” për gola. Ai ka shënuar goxha, por edhe ka humbur shumë raste.