Sport

Futbollistet e Venezuelës po synojnë daljen në skenën botërore

Iraia Arrue ndjek një top nëpër fushën e futbollit, derisa e humb atë pranë vijës së portës mes thirrjeve nga trajneri dhe bashkëlojtaret e ekipit të saj, duke vrapuar për 90 minuta nën diellin e fortë të Venezuelës, në një kompleks sportiv “Fray Luis de Leon”, që gjendet në lindje të Karakasit.

Ekipi i Arrues, Deportivo Petare, po garon për një vend në turneun e femrave “Conmebol Libertadores” që mbahet në muajin mars, për të përfaqësuar Venezuelën, ku futbolli historikisht ka luftuar për të tërhequr turma nëpër tribuna. Barazimi 1:1 i Deportivo Petares javën e shkuar, rivalit Atletico Sport Club ia ka vështirësuar punët dukshëm sa i përket kualifikimit në turne, por futbollistja Arrue është e bindur në pjesëmarrje dhe insiston se nuk ka asgjë më interesante sesa mundësia për të luajtur kundër klubeve më të njohura të Amerikës së Jugut në muajin e ardhshëm.

“Emocioni që dikush e përjeton duke luajtur, për shembull, kundër Boca Juniorsit apo duke luajtur kundër Corinthiansit nga Brazili, do të ishte i pabesueshëm", tha Arrue që luan sulmuese.

Futbolli ka fituar vëmendjen në dy dekadat e fundit në Venezuelë, vend që tradicionalisht është e dominuar dhe i dhënë pas bejsbollit. Skuadra e femrave, Vinotinto, e fitoi një medalje të argjendtë në Kampionatin e Amerikës së Jugut në vitin 2015 dhe sulmuesja Deyna Castellanos vitin e shkuar arriti të transferohet tek Atletico Madridi në Spanjë, duke dëshmuar potencialin e futbollisteve të Venezuelës. Arrue, e cila luan në kampionatin amator të Venezuelës, ëndërron të arrijë nivelin profesional me ndonjërën prej skuadrave të mëdha të Evropës. Mirëpo, ëndrra e saj është që në një të ardhme të afërt të transferohet te Lyoni i Francës. Liga amatore e futbollit të femrave në Venezuelë u krijua në vitin 2004 dhe në të marrin pjesë rreth 30 skuadra me rreth 800 lojtare, sipas Federatës së Futbollit të Venezuelës. Skuadra Deportivo Petare u themelua fillimisht në vitin 1948, nga emigrantë italianë. Lojtarët që jetojnë në Karakas kanë qasje relativisht të lehtë në fushën e stërvitjeve, që gjendet në lagjen e pasur të kryeqytetit, La Trinidad. Ndërsa, lojtaret që jetojnë në komunitete të tjera duhet të bëjnë udhëtime rraskapitëse nëpër autobusë, të cilët shpesh janë jashtë shërbimit për mungesë të pjesëve ose karburantit. Si pasojë e kësaj, ato edhe ndonjëherë vonohen në stërvitje.

Yodanyelis Palacios është 19-vjeçare dhe luan si mesfushore. Ajo ka njërën prej përvojave më të hidhura të udhëtimit, pasi kujton se kishte kaluar dhjetë orë në ditë në transportin publik për të udhëtuar 57 kilometra nga periferia Charallave në Karakas për të stërvitur me ekipin.

“Nëse kësaj ia shtojmë dy orë stërvitje, atëherë i bie 12 orë duke mos llogaritur studimet. Lodhja fizike është aq e madhe saqë ende pa nisur stërvitja mendon të dorëzohesh. Mirëpo, asgjë nuk është e pamundur. Me vullnet mund t’i arrish të gjitha”, insiston Palacios.

Palacios është e vendosur që të bëhet futbolliste profesioniste dhe ajo qysh tani ka filluar ta shohë veten si lojtare elitare që do të bëjë karrierë në SHBA apo Spanjë, shtete këto që kanë ligat më të forta të femrave. Gjithashtu, ajo shpreson se një ditë do të marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja e Venezuelës.

“Le të dihet se edhe në Venezuelë, ka shumë futbolliste të talentuara që po punojnë shumë për të pasur rastin që të dëshmohen para botës”, tha ajo. “Unë po punoj për një të ardhme më të mirë. Që një ditë të bëj karrierë në Spanjë apo SHBA, sepse vetëm kështu sakrifica ime mund të shpërblehet”.