Sport

FFK-ja i kërkon ministrit Zemaj kthimin e tifozëve për ndeshjet e “Dardanëve”

Descriptive Text

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka pritur në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj të martën. Në këtë takim sipas njoftimit të FFK-së, u diskutua për gjetjen e mundësisë së kthimit të tifozëve në stadium në numër të reduktuar për ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” që nisin muajin e ardhshëm. Kryetari i FFK-së, ka kërkuar nga ministri Zemaj ta shqyrtojë këtë mundësi me institucionet tjera përkatëse.

“Takimi ishte i fokusuar për gjetjen e mundësisë së rikthimit të tifozëve në numër të reduktuar në stadium për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2022 që nisin në mars, në mënyrë që Kombëtarja ta ndjejë sadopak atmosferën që dinë ta krijojnë tifozët ‘Dardanët’. Kreu i FFK-së i kërkoi ministrit Zemaj ta shqyrtojë mundësinë e rikthimit të tifozëve në stadium me institucionet tjera relevante. Rreth kësaj çështje ministri Zemaj tha se do të veprohet varësisht nga situata, teksa kërkoi një model nga vendet evropiane, që ka qenë funksional dhe i cili do të mund të aplikohej edhe në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.

Kosova bën pjesë në grupin B kualifikues për botërorin e vitit të ardhshëm së bashku me Spanjën, Suedinë, Gjeorgjinë e Greqinë. Ndeshjen e parë, Kosova do ta luajë më 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Suedisë.