Sport

Bujar Loci ka përkrahjen e Rahovecit

Njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në basketbollin e Kosovës, Bujar Loci do të mbetet në krye të KB Rahovecit.

Qëndrimin e Locit si trajner të klubit, e ka konfirmuar edhe kryetari i KB Rahovecit, Alban Rama të hënën për KOHËN. Rama insistoi se Loci ka përkrahjen e plotë të tij dhe bordit të klubit, pavarësisht zërave për një largim të mundshëm të tij. Rahoveci në katër ndeshjet e fundit të Superligës, ka regjistruar po aq humbje dhe aktualisht renditet i katërti me 31 pikë, sa i ka edhe Peja në pozitën e tretë. Tabelës i prijnë Golden Eagle Ylli dhe Ponte Prizreni me nga 32 pikë të mbledhura. Loci mori drejtimin e Rahovecit para fillimit të këtij edicioni kurse kjo është hera e dytë e tij në krye të “vreshtarëve”. Ai më herët ka qenë edhe trajner te Prishtina e Peja kurse është edhe ndihmës i përzgjedhësit të Kosovës, Christos Marmarinos.

“Nuk kemi asnjë arsye për ta ndërprerë bashkëpunimin e Locin dhe ai si trajner ka përkrahjen time të fuqishëm për të vazhduar me punën e tij. Pas një serie të rezultateve pozitive, po kalojmë nëpër një fazë ku i kemi katër humbje por që besoj se do të kthehemi fuqishëm”, është shprehur Rama. “Ekipi ka potencial dhe i duhet edhe pak kohë që të komponohet. Jemi të fokusuar në garat e Kupës së Kosovës që nisin këtë javë”. Kryetari Rama gjithashtu shtoi se ekipi për momentin nuk do të bëjë ndryshime as në ekip pasi shtoi se Rahoveci së fundi ka transferuar edhe dy lojtarët vendor, Altin Morinën e Arian Qallakun që në pjesën vjeshtore bartën fanellën e Sigal Prishtinës. “Me ardhjen e dy përforcimeve të fundit, mendoj se jemi kompletuar si ekip. Kemi bërë ekipin që kemi dashur dhe do të vazhdojmë tutje. Sa i përket ndryshimeve tjera tek lojtarët, mund të them se nuk është koha për të bërë lëvizje të tilla për momentin. Jemi duke shikuar por është ende herët të flitet për një gjë të tillë”. Të mërkurën, Rahoveci e hap turneun “Final 8” të Kupës së Kosovës me ndeshjen kundër Trepçës, që do të luhet në palestrën “13 Qershori” të Suharekës. Edhe edicionin e shkuar, këto dy ekipe u patën përballur në këtë fazë të “Final 8” të Kupës së Kosovës, me Rahovecin që pati avancuar tutje.