Sport

Kloppi e vlerëson krosimin e Shaqirit si të jashtëzakonshëm

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp e ka vlerësuar të jashtëzakonshëm krosimin e Xherdan Shaqirit që ishte asistim në golin e dytë të Mohamed Salahut. Liverpooli sot e mposhti West Hamin me shifrat 3:1, ndërsa Shaqiri ishte prej më të mirëve. Ai në minutën e 68-të pasoi shkëlqyeshëm për Salahun, duke goditur topin me të parën pas një vrapimi.

“Topi i fundit i Shaqirit ishte i jashtëzakonshëm. Ai ka luajtur vërtetë mirë dhe ndoshta ka mundur të luaj 90 minuta. Por kjo është problem për momentin, pasi nuk e dimë për të. Ai nuk ka luajtur shumë ndeshje dhe kishte ato probleme me lëndime. Unë vazhdimisht brengosem për lëndimet dhe po mundohemi të ruajmë të gjithë”, ka thënë Klopp në konferencë për shtyp. Ai e ka përmendur dy herë pasimin e Shaqirit.

“Pasimi i fundit ishte padyshim spektakolar nga Shaqiri”, ka thënë Klopp kur ka folur për golat e Salahut.

Edhe Salah ka vlerësuar lart pasimin e Shaqirit.

“Ishte top i mirë nga Shaqiri. Dua t’ia jap atij meritat po ashtu pasi ishte top shumë i mirë prej tij”, ka thënë Salah për sajtin zyrtar të Liveproolit.