Sport

Te Drita nuk shqetësohen për humbjet në Turqi, janë të bindur për sukses në Kosovë

Descriptive Text

Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Drita, e ka pësuar edhe humbjen e katërt në Antalia të Turqisë, ku është duke u përgatitur për stinorin pranveror të Superligës.

Drita të dielën është mposhtur nga skuadra elitare e Ukrainës, Vorskla, me rezultat të thellë, 5:0.

Në një postim të “bardhekaltërve” në “facebook” shkruan se humbja e pësuar nga Vorska Potlava ka ardhur si pasojë e gabimeve.

“Ka përfunduar edhe miqësorja e tretë me radhë për ekipin tonë. Edhe pse rezultatet në ndeshjet e fazës përgatitore nuk janë në plan të parë, ky rezultat më shumë u mundësua nga gabimet tona sesa nga kundërshtari, ku edhe ia falëm dy penallti. Ndeshje që do të na shërbejë shumë për ndeshjen e radhës që do ta zhvillojmë më 2 shkurt me ekipin e Minjas”, thuhet në postimin e Dritës.

Në fakt, seria negative e rezultateve në qytetin bregdetar të Turqisë për Dritën nisi me humbjen e ndeshjes së Superkupës nga Prishtina me rezultatin, 3:1. Vazhdoj me ekipet e Kategorisë së Dytë të Rusisë, Nizhny Novgorod me rezultatin 2:0 dhe me Chaykan 3:2. Kjo e fundit zë vendin e 13-të në nivelin e dytë të Rusisë, ndërsa Nizhny është në vendin e parë.

KOHA ka provuar të vë kontakt me trajnerin Atdhe Nuhiu, kapitenin Ardian Limani dhe mesfushorin Astrit Fazliu. Por, asnjëri prej tyre nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkohë, drejtori sportiv i klubit, Valon Zymberi ka thënë se aspak nuk i shqetësojnë rezultatet negative.

“Aspak. Ne këtu kemi ardhur në fazë përgatitore dhe normal që çdo ndeshje që e bëjmë stafi e përgatit, bën prova dhe i jep minutazh çdo lojtari. Nuk është se e ndjekim rezultatin. Besoj që nuk e kemi më atë dëshirën që po luajmë me një ekip me emër dhe të ndjekim rezultat. Thjesht ndeshjet i shfrytëzojmë për të realizuar plan-programin që stafi e përpilon. Ekipi është në pikën më të lartë të ngarkesës dhe po punohet fort që të përgatitemi për kampionat, kjo është me rëndësi. Ne jemi Drita dhe kemi ardhur për t’u përgatitur për një kampionat të gjatë dhe të fortë, për këtë edhe po punohet shumë. Sigurisht që fitoret i kemi detyrim në kampionat, ndërsa këtu mundohemi t’i arrijmë qëllimet që stafi ia ka vënë vetes. Rezultati gjithnjë është në plan të dytë”, ka thënë Zymberi të dielën për KOHËN.

Drita e ka mbyllur stinorin vjeshtor në pozitë ne parë me 41 pikë, tri më shumë se përcjellësi i parë, Ballkani.

Për stinorin pranveror Drita në Antalia prezantoi dy përforcime, nigerianët Henry Onoka Austine dhe Esosa Priestley Irogue.

Nga Antalia, Drita do të kthehet të mërkurën për t’i vazhduar përgatitjet në Gjilan. Stinori pranveror është paraparë të nisë më 13 shkurt.