Sport

Muriqi për KOHËN: Ky është vetëm fillimi

Prishtinë, 31 janar – Katër ditë më parë sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi shënoi golin e parë me fanellën e Lazios, që kur u transferua nga Fenerbahçe në shtator të vitit të kaluar. Prizrenasi shënoi ndaj Atalantas në çerekfinale të Kupës së Italisë, por Lazio u eliminua nga kjo garë.

Gol ndaj Atalantas, Muriqi shënoi edhe të dielën. Për të ishte i pari në kampionatin e Italisë, Serie A. Dhe këtë herë goli i tij kishte më shumë vlerë – Lazio fitoi.

Muriqi në këtë ndeshje u inkuadra në minutën e 80-të, kurse golin e shënoi dy minuta më vonë, për rezultatin përfundimtar, 3:1.

Shtatëlarti pak kohë pas përfundimit të ndeshjes ka thënë për KOHËN se është i lumtur për golin e shënuar, ndërsa ka theksuar se është vetëm fillimi i tij. Ai premton gola të tjerë për Lazion.

“Po ndihem shumë mirë, jam sulmues dhe sulmuesi kur shënon gjithmonë është i gëzuar. Është gol për vetëbesim kështu që besoj që është vetëm fillimi. Është e rëndësishme që skuadra fitoi. Nuk ka qenë situatë e lehtë për mua, por e rëndësishme për mua është që shënova më në fund dhe ekipi fitoi”, ka thënë Muriqi.

Paraqitja e së dielës ndaj Atalantas, për sulmuesin 26-vjeçar ishte e 11-ta në Serie A, ndërsa katër ndeshje i ka zhvilluar edhe në kuadër të grupeve të Ligës së Kampionëve. Ai dy ndeshje i ka luajtur edhe në Kupën e Italisë. Ndaj Parmas kishte goditur mirë, duke shtyrë topin drejt portës. Por portieri e kishte devijuar pak dhe goli nuk iu numërua Muriqit.

Në fakt, Muriqi pati telashe para se t’i bashkohej Lazios. Te Lazio u transferua në shtator, por iu bashkua më vonë pas infektimit me koronavirus. Ai pasi tejkaloi telashet me koronavirus, pësoi edhe një lëndim që e la për disa javë jashtë fushës. Shkaku i këtyre problemeve, Muriqi u mungoi edhe “Dardanëve” në ndeshjet më të rëndësishme, në theks të veçantë atë ndaj Maqedonisë së Veriut në kuadër të gjysmëfinales së plejofit për “Euro 2020”, që mbahet këtë verë. Por, pas kthimit nga lëndimi, Muriqi ka luajtur rregullisht te Lazio, kryesisht është inkuadruar në fushë si rezervist. Ngadalë po e gjen edhe golin. Ai së fundi është kthyer edhe te Kosova dhe pret të mos ketë më telashet e muajve të kaluar.

Në fazën ofensive, Muriqi ka konkurrencë goxha të madhe. Sulmues kryesor është italiani, Ciro Immobile, ndërsa janë edhe Joaquin Correa, Felipe Caicedo dhe Andreas Pereira.

Konkurrencën e fortë në skuadër e pranon edhe vetë Muriqi. Megjithatë, ai thekson se do të punojë fort për të zënë një vend si titullar.

“Jam shumë i gëzuar dhe njëkohësisht edhe i motivuar më shumë pas këtij goli të parë në kampionat. Por, nuk duhet harrohet që jam në një skuadër me super yje si Immobile, Correa, Caicedo dhe Pereira. Është konkurrencë e madhe, por unë do të vazhdoj të punoj me të njëjtin ritëm, mbase edhe më fort nëse është nevoja për të arritur më të mirën”, ka theksuar Muriqi.

Me Lazion, Muriqi ka kontratë deri në qershor të vitit 2025, ndërsa skuadrës italiane i kushtoi rreth 20 milionë euro për transferim nga Fenerbahçe.

Karrierën si futbollist, Muriqi e nisi te Liria e Prizrenit. Në vitin 2013 u transferua te Teuta e Durrësit. Në Shqipëri luajti edhe për Besën e Kavajës, derisa në vitin 2014 u transferua te Giresunspori në Turqi. Ai në kampionatin turk luajti edhe për Rizesporin dhe Gençlerbiriligin.

U raportua se Muriqi mund të largohet, meqë nuk ka arsyetuar shumën e paguar për transferimin e tij. Por, në klubin e Lazios kanë ftuar për durim, duke theksuar se Muriqi do t’i dëshmojë vlerat e tij. Dhe ai po e bën këtë.

Muriqi ka shtuar se është mirë fizikisht dhe pret të tregojë vlerat e tij edhe në ndeshjet e ardhshme.

“Jam goxha mirë fizikisht pas periudhës së vështirë, tani më mbetet të punoj dhe ta jap maksimumin si në stërvitje ashtu edhe kur do ta kem rastin të luaj për Lazion”, ka thënë Muriqi.

Ndeshjen e ardhshme, Lazio e luan në shtëpi kundër Cagliarit më 7 shkurt, në kuadër të xhiros së 21-të të kampionatit italian, Serie A.

Te Kosova shpresojnë që Muriqi të vazhdojë me efikasitet dhe të jetë në top-formë për ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2022.