Sport

Boksierja e parë dhe e vetme në Shqipëri synon Lojërat Olimpike

Shkodër, 29 janar – Në moshën 15-vjeçare, Elsidita Selaj mori vendim për të boksuar.

Me kokëfortësi ka arritur të përballojë kundërshtimin e familjes dhe paragjykimet gjinore, për t'u bërë boksierja e parë dhe e vetme garuese e Shqipërisë, përcjellë AFP të premten.

“Në fillim, boksi ishte për mua një dashuri e pamundur, e paimagjinueshme”, pranon 20-vjeçarja, pas një seance stërvitore në qytetin e saj, Shkodër. “Por, falë vendosmërisë sime, boksi është bërë një dashuri e mundshme që më përket tërësisht mua”.

Ishte para pesë vjetësh kur Selaj filloi të godiste thasët në palestrën e boksit, çdo ditë pas përfundimit të shkollës, duke u lutur që të arrinte të stërvitej në një sport që konsiderohej vetëm i meshkujve në Shqipëri.

Jetmir Kuçi, një kampion i nëntëfishtë i Shqipërisë dhe trajner i boksit, fillimisht refuzoi të punonte me të. Këtë e pranon edhe Kuçi.

“Unë isha pak tradicional”, kujton Kuçi. "Ishte shumë e vështirë të pranoja të stërvitja me Elsiditën për shkak se tërë kohën kisha në mendje gjykimet e njerëzve në qytetin ku jetojmë”.

Mirëpo, duke parë insistimin e vajzës së re, Kuçi përfundimisht u dorëzua dhe pranoi ta stërviste.

“Me vendosmërinë e saj, ajo ishte në gjendje të thyente një tabu për të gjithë ne”, pranon ai.

Selaj, një boksiere amatore e licencuar, që në fillim ka dëshmuar aftësinë e saj në boks, duke rrëmbyer një medalje të bronztë në një turne rajonal të Ballkanit në vitin 2017. Pasoi një vend i dytë dhe pastaj një vend i tretë në Kampionatet Evropiane të boksit amator në vitet 2018 dhe 2019. Tani ajo ka synimet e saj për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Tokio 2021”, por fillimisht i duhet të kapërcejë një raund të vështirë kualifikues në pranverë, për të mos përmendur edhe pengesën financiare dhe gjëra të tjera të përfshira në këtë synim të Selajt.

“Qëllimi i çdo sportisti, jo vetëm i imi, është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike”, insiston Selaj.

Trajneri i saj beson se shtyrja e Lojërave Olimpike për këtë vit për shkak të përhapjes së koronavirusit “mund të funksionojë në favor të Elsiditës, sepse kjo i dha asaj më shumë kohë për përgatitje”.

Dhe nëse nuk arrihet Tokio, atëherë synimi primar do të jetë Parisi, qytet ku në vitin 2024 do të mbahen Lojërat Olimpike.

Suksesi në ring ka bërë që Selaj të fitojë edhe mbështetjen nga familjarët e saj - tani tifozët e saj më të mëdhenj - si dhe nga komuna, që i ndan asaj një ndihmë mujore prej 490 eurosh.

“Unë jam gati të sakrifikoj, të punoj ditë e natë në mënyrë që vajza ime të jetë një ditë kampione bote për mua dhe të gjithë shqiptarët tjerë”, tha babai i saj, Luan Selaj.

Selaj është e detyruar që të stërvitet me meshkuj. Akoma studente në universitet, ajo qëndron duke u stërvitur në palestër deri në gjashtë orë në ditë, shpesh duke bërë sparing me 16-vjeçarin Ertan Kraja, i cili gjithashtu aspiron të ketë suksese të mëdha në boks.

“Në fillim kisha frikë ta godisja shumë fort, por duke pasur parasysh forcën e saj, aftësitë e saj, u mësova. Mund të them se është si të luftosh me një burrë”, tha Kraja për sparingun me Selajn.

Pas rezistencës së saj në fillim, gjyshja 64-vjeçare e Selajt, Kimete Bashaj, është bërë një adhuruese e zjarrtë e boksit, pasi ka përcjellë meçet më të mira në botë nëpërmjet televizorit. Dhe është pikërisht gjyshja Kimete që beson se shumë shpejt do ta shohë edhe mbesën e saj në nivel të lartë. Ajo e motivon të mos ndalet, por të punojë shumë dhe të arrijë majat e boksit.

“Nuk e kam menduar asnjëherë që Elsidita do të ishte një boksiere, sepse si e tillë ajo mund të përballej me paragjykime. Por tani që ajo ka marrë medalje, unë dua që ajo të vazhdoj me boks”, tha gjyshja derisa qëndronte ulur pranë trofeve të mbesës së saj.

Ndërkohë, Elsidita Selaj vazhdoi: “Boksi për mua është më shumë se një sport: është në harmoni të përsosur me karakterin tim, gjendjen time shpirtërore. Brenda kam një lloj rebelimi agresiv, por që fsheh shumë dashuri dhe pasion”.