Ankara, 27 janar (Reuters) – Transferimi më i ri i Fenerbahçes, mesfushori Mesut Oezil të mërkurën insistoi se i është bashkuar klubit që ka dashur derisa përsëriti edhe njëherë se nuk do të kthehet për të luajtur te Përfaqësuesja e Gjermanisë, prej së cilës u largua para dy vjetësh.
Oezil ishte njëri prej lojtarëve kryesorë te Gjermania kur triumfoi në Kampionatin Botëror të vitit 2014. Mirëpo, ai u tërhoq nga përfaqësuesja në vitin 2018 si pasojë e një debati politik në Gjermani rreth një fluksi emigrantësh dhe pas reagimeve të ashpra për një fotografi të tij me presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan, duke thënë se u përball me “racizëm dhe mosrespektim” për shkak të prejardhjes së tij turke. Mesfushori 32-vjeçar gjatë prezantimit të tij te Fenerbahçe firmosi kontratë për tre vjet e gjysmë, duke finalizuar lëvizjen e tij në atë që ai e ka quajtur klubin e tij të fëmijërisë pas dështimit tek Arsenali. Në fakt, Oezil këtë sezon nuk e zhvilloi asnjë ndeshje me Arsenalin për shkak se nuk bënte pjesë në projektin e klubit nga Londra. Madje, atij londinezët ia shkëputën kontratën para kohe vetëm për ta liruar që të transferohej te Fenerbahçe. Oezil kishte kontratë me Arsenalin deri në fund të këtij edicioni, kurse te Fenerbahçe do të ketë një pagë vjetore prej tre milionë eurosh.
“Kur shkoj në një rrugë, nuk kthehem kurrë mbrapa. I uroj përfaqësueses së Gjermanisë suksese, por kurrë nuk do të luaj më atje”, tha Oezil para gazetarëve në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës me Fenerbahçen në Stamboll.
Ai ka debutuar me fanellën e Gjermanisë në vitin 2008, duke regjistruar në total 92 paraqitje dhe realizuar 23 gola.
Oezil ishte ndër lojtarët më të paguar në Arsenal me pagë vjetore prej 13 milionë eurosh, por nuk ishte paraqitur për ekipin londinez që nga marsi i vitit të kaluar, pavarësisht se kishte luajtur një rol kryesor në triumfin e klubit në FA Cup në edicionin e tij të parë në Angli nën drejtimin e trajnerit Arsene Wenger.
Ai më vonë u la anash tek Arsenali, sidomos pas largimit të Wengerit që u zëvendësua me spanjollin Unai Emery. Ngjashëm si Emery, me Oezilin veproi edhe trajneri aktual i Arsenalit, Mikel Arteta, që tha se largimi i mesfushorit nga ekipi i parë ishte për “arsye futbolli”. Oezil nuk u përfshi fare këtë edicion në ekipin e parë të Arsenalit, qoftë në Premier League apo Ligën e Evropës.
Oezil ishte lidhur prej kohësh me një transferim të mundshëm te Fenerbahçe dhe kalimi i tij tek ekipi i Superligës së Turqisë u vlerësua nga mediumet turke si një nga transferimet më të mëdha dhe të rëndësishme në një klub elitar në vitet e fundit.
Fenerbahçe, aktualisht zë vendin e dytë në tabelë pas 20 ndeshjeve të zhvilluara me 44 pikë të mbledhura, dy më pak se lideri dhe rivali Beshiktash. Megjithatë, Oezil u shpreh i sigurt se Fenerbahçe mund ta fitojë titullin këtë edicion dhe për një gjë të tillë do të kujdeset personalisht duke e udhëhequr ekipin e tij të ri drejt këtij synimi.
“Kam luajtur më parë në klube të mëdha, sigurisht. Por Fenerbahçe është ekip që dallon prej të tjerëve për mua. Është një klub që e dua që nga fëmijëria”, pranoi Oezil. “Unë kam qenë një tifoz i flaktë i Fenerbahçes më parë dhe gjithmonë do të jem. Kështu që, këtë sezon kemi gjasa të mira për ta fituar titullin”.
Presidenti i Fenerbahçes, Ali Koç, që gjithashtu ishte i pranishëm në këtë ceremoni, tha se klubi arriti të transferonte Oezilin pavarësisht problemeve të mëdha financiare që i ka përjetuar kohët e fundit. Madje, Koç shtoi se Oezil ndihmoi shumë në procesin e transferimit të tij pasi pranoi një ulje të dukshme të pagës.
“Muaji i mjaltit ka mbaruar, tani fillon puna e vërtetë”, tha Koç. “Kemi sjellë në ekip njërin prej mesfushorëve më të mirë në Evropë dhe besoj se suksesi nuk do të mungojë në fund të sezonit”.
Oezil si futbollist është zhvilluar në Gjermani, ku edhe ka lindur pasi familja e tij kishte emigruar nga Turqia. Ai si profesionist ka debutuar te skuadra e Schalkes për ta vazhduar pastaj karrierën te Werder Bremeni e Real Madridi. Mesfushori tek ekipi turk do ta bartë fanellën me numrin 67.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.