Sport

Ilkay Guendogan, lojtari që po e shtyn Cityn drejt titullit

Manchester, 27 janar (BBC) – lkay Guendogan nuk ishte përgjigjja e qartë ose më emocionuese në pyetjen se si Manchester City do të zëvendësonte mesfushorin David Silva. Mirëpo, pasi Guendoganit iu besua një rol i tillë, mesfushori gjerman është shndërruar në një Sergio Aguero të ri për skuadrën e trajnerit Pep Guardiola.

Reprezentuesi i gjithanshëm i Gjermanisë ka marrë përgjegjësinë e Silvas të larguar në këtë edicion për të vendosur ritmin te City dhe mbi të gjitha, ai ka “huazuar” edhe këpucët e Agueros për shkak se po shënon gola për ta udhëhequr ekipin e tij drejt titullit të kampionit në Premier League. Më parë, 30-vjeçari nuk kishte arritur më shumë se gjashtë gola në kampionat në një sezon të vetëm, ose me Cityn ose me Borussia Dortmundin në Bundesligë, por me dy golat e tij në fitoren e fundit kundër Ëest Bromëichit, Guendogan ka arritur në shtatë gola të shënuar në tetë paraqitje në kampionat që nga data 15 dhjetor.

“Nuk e di, sinqerisht nuk ka ndonjë sekret për formën time. Unë po përpiqem të jem më fleksibil dhe të përshtatem në të gjitha pozitat në fushë”, është shprehur Guendogan. “Thjeshtë, mundohem të jem në hapësirat e duhura në momentin e duhur. Në ndeshjet e fundit, kam luajtur në një rol më sulmues dhe jam përpjekur ta ndihmoj ekipin me gola”.

Golat e Guendoganit kanë bërë që City të ngritët në tabelë pas një serie prej shtatë fitoreve rresht në kampionat, dhe 11 në total në të gjitha garat duke shënuar 30 gola në këtë proces.

Ai nuk është e vetmja arsye që ekipi i Guardiolas ka larguar mënjanë mungesën e vazhdueshme të Aguero, golashënuesit më të mirë të gjithha kohërave, por Guendogan ka luajtur rol të rëndësishëm me kontributin e tij. Me një fjalë, Guendogan është shndërruar në forcën kryesore të Cityt në këtë sezon që po synon titullin e kampionit të Anglisë, i cili do të ishte i shtati në histori të klubit.

Guendogan këtë edicion po luan në një rol më të avancuar pasi trajneri Guardiola po kërkon nga ai që ketë sa më shumë goditje në portë. Kjo është hera e parë që Guardiola i ka besuar një rol të tij Guendoganit, i cili iu bashkua Cityt në vitin 2016 nga Borussia Dortmundi për 25 milionë euro. Në të vërtetë, Guendogan ishte përforcimi i parë i Guardiolas, i cili këtë edicion po i numëron gjuajtjet e tij në secilën ndeshje.

“Ai është një futbollist që ka nuhatje të jashtëzakonshme për gol. Guendogan gjithmonë është në momentin dhe kohën e duhur dhe për këtë arsye kam besim të madh tek ai. Të paktë janë lojtarët me një nuhatje të tillë. Mirëpo, nuk është vetëm kjo për shkak se Guendogan krahas shënimit të golave ka një teknikë të përsosur dhe udhëheqje të mirë të topit. Është një futbollist i kompletuar në çdo aspekt”, ka pranuar trajneri i Cityt, Guardiola.

Problemi më i madh në të kaluarën për Guendoganin te City ishte sigurimi i një vendi të titullarit në ekip. Mirëpo, mesfushori tani më nuk e ka këtë problem për shkak se është i padiskutueshëm në përbërjen e parë të Guardiolas. 30-vjeçari deri më tani ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë një asistim në 21 paraqitje për ekipin anglez në të gjitha garat.

“Guendogan ka qenë i nënvlerësuar në ekip dhe për të ka qenë gjithmonë vështirë të dalë në pah para disa lojtarëve të tjerë. Ai shpesh është përdorur si rezervist por gjithmonë ka qenë kreativ në secilin aspekt. Kështu që, nuk më habit aspak shpërthimi i tij këtë edicion sepse gjithmonë ka qenë një lojtar me potencial të madh”, ka thënë ish-mbrojtësi i Cityt, Micah Richards.

Në vend se të shënojë gola, është ekuilibri dhe disiplina që Guendogan i sjellë skuadrës ato që mbeten atributet e tij më të mira. Për këtë ai nuk po vlerësohet vetëm nga trajneri por edhe tifozët e Cityt.

Guendogan, i cili pësoi një dëmtim serioz në gju në fillim të karrierës së tij në City dhe u anashkalua nga Covid-19 në fillim të këtij sezoni, tani ka arritur në kuotën e 185 ndeshjeve të luajtura për klubin.

Madje, edhe kritikët më të mëdhenj nuk po mund të besojnë se si Guardiola e ka mbajtur deri këtë edicion në stol Guendoganin. Kjo mund të tingëllojë e padrejtë, por atëherë mesfusha e Cityt përbëhej nga Fernandinho, David Silva dhe Kevin de Bruyne.

Guendogan ka qenë gjithmonë në gjendje të luante në mesfushë, por sepse ai mund të zëvendësonte me shkathtësi Fernandinhon por tani ai po plotëson me sukses edhe boshllëkun e Agueros së lënduar.

Së fundi, te City po besojnë që Guendogan mund të zëvendësojë edhe belgun De Bruyne që është lënduar dhe Guardiola më në fund është i lumtur që ka gjetur xhokerin e tij.

“Së pari, unë jam shumë i lumtur për paraqitjet e Guendoganit por edhe njohjen që ai ka filluar të ketë me atë që po tregon në fushë. Ne jemi më të kënaqur me atë që ai po bën, por jo vetëm në këtë moment”, ka shpjeguar Guardiola. “Në edicionin 2018/19 kur e fituam titullin e kampionit, si luajti në vend të Fernandinhos që u dëmtua dhe ishte fantastik. Në sezonin e parë, Guendogan na mungoi për shkak të lëndimit të gjurit por asnjëherë nuk u dorëzua. Ai është një lojtar që ka personalitet”.