Sport

Shpresat e Kosovës (U21) ia kanë parë hairin një gabimi teknik të Federatës së Futbollit të Norvegjisë

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll, të hënën humbi thellë, 5:0 nga Norvegjia në Drammen. Por, tri pikët e kësaj ndeshjeje pritet t'i takojnë pikërisht Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Ekipi Shpresa i Kosovës do të fitojë këtë ndeshje eliminatore për "Euro 2019", me rezultatin zyrtar 3:0, pasi Norvegjia ka aktivizuar një futbollist pa të drejtë loje.

Norvegjia ka pranuar gabimin teknik dhe nëpërmjet një komunikate ka thënë se po heton se si erdhi deri te ky gaf që do t'i kushtojë me humbjen e ndeshjes së fituar në fushë.

Futbollisti Krisoffer Ajer nuk pati të drejtë loje, ndërkohë që ai ishte titullar e madje shënoi edhe një gol kundër Kosovës.

Ajer nuk kishte të drejtë loje, pasi në ndeshjen e 27 marsit të këtij viti derisa luante me ekipin U-19 të Norvegjisë, në ndeshje kualifikuese kundër Spanjës, ishte përjashtuar nga loja pas dy kartonëve të verdhë. Dhe, sipas rregulloreve të UEFA-së, "lojtari që është i suspenduar duhet të pushojë në ndeshjen e radhës të nivelit të njëjtë ose në një nivel më lartë". E meqë ajo ishte ndeshja e fundit e tij me grupmoshën U19, Ajer duhej të pushonte në ndeshje me Kosovën, që ishte e para për të zyrtare në grupmoshën U21.

(Shkrimin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.