Sport

Tre kandidatë për president të KOK-ut

Fundi i muajit mars është caktuar koha e mbajtjes së zgjedhjeve për president të ri të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Data nuk është caktuar ende, por numri i kandidatëve për të parin e KOK-ut, tashmë ka shkuar në tre. I fundit që ka zbuluar kandidaturën e tij për ta udhëhequr katër vjetët e ardhshme KOK-un, është kryetari i Federatës Skitare të Kosovës (FSK), Milaim Kelmendi. Këtë e ka bërë të ditur të enjten për KOHËN vetë Kelmendi, që thotë se ka përkrahjen e federatave sportive.

Aktualisht, KOK-u udhëhiqet nga Besim Hasani, që po ashtu ka konfirmuar kandidaturën edhe për një mandat tjetër, ndërsa kësaj gare do t’i hyjë edhe kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK), Ismet Krasniqi. Hasani në krye të KOK-ut është tashmë 24 vjet, ndërsa ka thënë se ka ende çka t’i japë komunitetit sportiv.

Por, edhe Kelmendi thotë se para asamblistëve të Komitetit Olimpik të Kosovës do të paraqitet me një program të fortë. Kelmendi është një prej katër nënkryetarëve të KOK-ut.

“Shumica e federatave po më përkrahin. Fushata po më ec shumë mirë, kam përkrahjen e shumicës së federatave. Do të tërhiqesha vetëm nëse ndonjëri prej kundërkandidatëve do ta ketë programin më të mirë, gjë që nuk besoj se do ta ketë. Premtoj t’u krijoj hapësirë dhe mundësi të mirë federatave dhe sportistëve. Do të punoj ngushtë edhe me institucionet shtetërore. Do të sjell edhe ekspertë të fushës së sportit nga jashtë e po ashtu edhe këshilltarë që vijnë nga kjo fushë. Mendoj se kam potencial më të madh se ndaj dy kandidatëve të deklaruar”, ka thënë Kelmendi të enjten.

Kelmendi në krye të Federatës Skitare të Kosovës erdhi në vitin 2016. Nga viti 2006 deri në vitin kur u zgjodh kryetar i FSK-së, ishte nënkryetar.

Ndërkohë, Hasani në krye të KOK-ut është që nga viti 1996. Ai është edhe kryetar i Federatës së Karlingut të Kosovës, i zgjedhur në vitin 2011, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës dhe Sportit të Kosovës.

“Secili ka të drejtë të garojë, edhe unë do të jem kandidat. Por, së pari duhet ta marrin bazën deleguese nga klubet, pastaj në Federatë për t’u kandiduar në KOK. Vetëm dy javë para do të dihen emrat që do të konkurrojnë, një prej tyre do të jem edhe unë. Ne që nga viti 2015 punojmë me plan strategjik. Janë diku mbi 170 objektiva strategjike, që 82.7 % janë realizuar dhe deri në mars do të realizohen pjesa tjetër. Nëse nuk do të besoja, nuk do të hyja në garë për president. Unë jam i bindur që përsëri do të rizgjidhem, përndryshe nuk do të hyja në garë”, pati thënë Hasani javë më parë në emisionin sportiv të KTV-së, “Sporti Total”.

Edhe të mërkurën, Hasani e ka konfirmuar për KOHËN kandidaturën për t’u rizgjedhur në krye të KOK-ut. Ai ka thënë se deri para konfirmimit zyrtar të kandidatëve të tjerë, nuk do të debatojë me askënd rreth zgjedhjeve.

Në fakt, në të kaluarën, Hasani ka fituar bindshëm garën me kundërkandidatët e tij duke pasur përkrahjen e madhe të asamblistëve. Por, për mandatin e ri vlerësohet se do të jetë garë e ngushtë me dy kundërkandidatët.

Shumë anëtarë të federatave që do të kenë të drejtë vote janë ende të pavendosur se cilit kandidat do t’i japin përkrahje, ndërsa fushata ka nisur më herët.

Zgjedhjet ishte kërkuar të mbaheshin pas Lojërave Olimpike që mbahen gjatë verës në Tokio e ku Kosova pretendon të shkojë me më shumë se pesë norma olimpike. Madje, kërkon që nga Tokio të kthehet edhe me medalje olimpike.

Nën drejtimin e Hasanit, Kosova e ka fituar një medalje olimpike. Është xhudistja Majlinda Kelmendi që në vitin 2016 në Rio fitoi medaljen olimpike.

Se kush do ta udhëheqë ekipin e Kosovës në Tokio do të mësohet pas zgjedhjeve që do të mbahen në mars.

E Krasniqi thotë se do të jetë ai që do ta drejtojë si president i KOK-ut ekipin olimpik. Ai thotë se ka plane të mëdha.

“Kandidatura ime lidhet dhe vjen pikërisht nga përkrahja dhe nevoja që federatat vetë kanë shfaqur, ato kanë nevojë imediate për përmirësimin e kushteve dhe përkrahjen nga KOK-u, e cila iu ka munguar me vite të tëra. Dhe, për pasojë kandidatura ime ka qenë kërkesë e tyre dhe besoj fuqishëm që të gjitha federatat do të më përkrahin për ndryshimin. Për mua është e rëndësishme të fitoj programi, koncepti e jo individi, andaj konsiderojnë që unë kam program të qartë, inovativ, gjithëpërfshirës dhe para së gjithash progresiv për gjithë sportin pa dallime!. Kështu që bazuar në programin tim besoj që unë do të fitoj garën dhe do të udhëheq me dinjitet personal, moral dhe kombëtar KOK-un”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se në programin e tij është zhvillimi strategjik, duke u bazuar siç thotë ai gjendjen aktuale në mënyrë kuantitative.

“Plani i aktiviteteve për zhvillimin e brendshëm dhe transparencën e Komitetit Olimpik; diplomacia ndërkombëtare duke shfrytëzuar sportin si mjeti më i fuqishëm diplomatik; organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare në Kosovë; krijimi i trashëgimisë infrastrukturore dhe njerëzore”, është shprehur Krasniqi.