Showbiz

Gomez e ashpër ndaj rrjeteve sociale për kaosin në Washington

Pak orë pasi turma e përkrahësve të presidentit Donald Trump mori kontrollin e Capitolit në Washington, këngëtarja Selena Gomez ishte e ashpër ndaj kompanive të mëdha.

“Ajo që ndodhi është rezultat i njerëzve që me urrejtje në zemrën e tyre kanë përdorur platformat që duhet bërë bashkë njerëzit dhe të ndërtojnë komunitete”, ka shkruar Selena Gomez në Twitter. “Facebook, Instagrami, Twitteri, Google, Mark Zucerbergu dhe të tjerët i kanë zhgënjyer amerikanët. Shpresoj se do t’i rregulloni këto gjëra dhe të ecim përpara”, ka shtuar ajo.

Reagimi i këngëtares dhe i aktores është tentim për të tërhequr vëmendjen ndaj rrezikut të kompanive të internetit që kanë përfituar nga keqinformimi dhe urrejtja në platformat e tyre.

Gomezi me muaj të tërë u ka bërë thirrje kompanive të mëdha që të përmirësojnë platformat e tyre. Në një intervistë për “Associated Press”, Gomez ka thënë se është e pakënaqur me mënyrën e dobët që kanë reaguar rrjetet sociale ndaj keqinformimeve dhe urrejtjes.

“Nuk është beteja mes meje dhe atyre, mes një partie politike dhe të tjerave. Është betejë mes të vërtetës dhe gënjeshtrave në Facebook, Instagram dhe në kompanitë e tjera. Ato duhet të ndalin publikimin e gënjeshtrave dhe të mos i shpërndajnë në formë të vërtetave”, ka thënë këngëtarja 28-vjeçare.

“Facebooku vazhdon të lejojë gënjeshtrat e rrezikshme për vaksinën, koronavirusin dhe zgjedhjet amerikane. Boll më”, ka thënë Gomez.

Ylli është në mesin e të famshmëve që kanë përdorur llogaritë e tyre sociale për të shprehur pakënaqësitë ndaj gjigantëve teknologjikë. Mes tyre janë: Sacha Baron Cohen, Leonardo DiCaprio, Jennifer Lawrence, Kerry Washington dhe Kim Kardashian West.

Gomez u bë e ndjeshme në çështjen e rrjeteve sociale në vitin 2017, kur një 12-vjeçar i kishte komentuar në Instagram, duke i shkruar: “Shko mbytu”.

“Kjo ishte kulmi. Nuk mund të përballoja ato që po shihja”, ka thënë Gomez.

Ekspertët e rrjeteve sociale kanë argumentuar se kompanitë si Facebook dhe Twitter kanë luajtur rol direkt në kaosin në Washington, duke lejuar ekstremistët që planet e tyre t’i shpërndajnë në platformat e njohura. Këtë e ka mohuar Facebooku, duke u sqaruar se planifikimi i protestave është bërë në platforma më të vogla.

Kjo ndodhi pasi Facebooku ndaloi grupet ekstreme të publikonin përmbajtje në platformën e saj.

Pas dhunës në Capitol, kompanitë e mëdha kanë bërë ndryshime rrënjësore. Facebooku ka fshirë të gjitha videot dhe fotografitë e kryengritësve në Capitol. Kompania gjithashtu ka shtuar edhe një tekst sqarues në të cilin thuhej se Joe Bideni ligjërisht është president i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara.

Facebooku, Instagrami, Twitteri dhe platformat e tjera kanë bllokuar Trumpin, duke tërhequr kritika nga shoqëria civile se është censurë, por shumë të tjerë kanë thënë se presidenti po përdorte platformat për të nxitur dhunën.