Sport

Kapiteni kosovar i Suedisë

Prishtinë, 17 janar – Petrit Zhubi ka qenë futbollist në të kaluarën. Ka luajtur edhe në elitën e futbollit të Suedisë, Allsvenskan. Për shumë vjet ai luajti edhe futboll, edhe futsall (futboll të sallës). Por në një moment vendosi t’i jepte fund karrierës në futboll të madh dhe t’i përkushtohej vetëm futsallit.

Tani është lojtar dhe trajner në klubin e futsallit, IFK Goteborg Futsal. Është njëkohësisht edhe kapiten i Përfaqësueses së Suedisë në futsall.

Futsalli në Suedi është goxha i popullarizuar, thotë Zhubi. Ka edhe shumë shqiptarë që luajnë në skuadrat e këtij vendi. Në Përfaqësuesen e Suedisë janë katër lojtarë shqiptarë, me Zhubin kapiten.

“Në ekipin ku unë luaj tani, IFK Goteborg Futsal, jemi tre shqiptarë. Unë, Albert Hiseni dhe Flamur Tahiri. Ndërsa te Suedia jemi ne të tre si dhe Liridon Makolli”, thotë për KOHËN Petrit Zhubi.

IFK Goteborg Futsal në edicionin e sivjetmë, pas 19 ndeshjeve, është i dyti me 38 pikë. 40 pikë i ka Hammarby, me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Zhubi thotë se pasioni për futbollin i ka ardhur që nga mosha dhjetëvjeçare. Mirëpo në mendje e ka pasur gjithmonë edhe futsallin. E gjithë familja e tij ishte e dhënë pas futbollit.

“Për fat të mirë në familjen tonë të gjithë e adhuronim futbollin. Edhe vëllai im, Mentori, ka luajtur dhe ka qenë po aq i talentuar sa unë. Që të dy e adhuronim futbollin si fëmijë”, tregon Zhubi. “Ne në Suedi kemi përfunduar thuajse si të gjithë shqiptarët e tjerë, në vitet ‘90. Isha vetëm dyvjeçar kur shkuam atje. U linda në Prishtinë, por prindërit e mi e kanë prejardhjen nga Gjakova. Kanë jetuar në Prishtinë për një kohë shumë të gjatë. Dhe ja ku jam tani. Jam me fat që e kam nderin të jem kapiten i Suedisë”.

Zhubi gjatë viteve si futbollist është vlerësuar lart. Në mediat suedeze ai është përshkruar si mesfushor i shpejtë, i lëvizshëm dhe me pasime të sakta.

“Suksesi im më i madh në futboll është që kam pasur rastin të luaja prej ligës së tretë të futbollit suedez deri në Superligë. Por në futsall e kam fituar ligën tre vjet rresht. Për pak nuk shkuam edhe në Kupën e Botës në futsall, por para neve dolën Rusia e Kroacia”, tregon Zhubi.

Zhubi kishte suksese në Allsvenskan, por futsallin e ka zgjedhur me zemër. Aty thotë se i ka fjetur zemra tërë jetën. Për vitin 2020 u shpall lojtari më i mirë i futbollit të vogël. Ndihet krenar për këtë arritje. Thotë se është shqiptari i parë që e ka arritur një sukses të tillë.

Tani te IFK Goteborg Futsal i luan dy role, lojtar e trajner.

“Në fillim ishte vështirë pasi duhej t’i kryeja të dyja detyrat. Pas shumë ushtrimeve arritëm që ta gjenim mënyrën se si të veprojmë”, ka thënë Zhubi.

Për disa vjet ai luante futboll e futsall, pasi gradualisht i rritej dëshira për karrierë në futbollin e sallës.

“Aty e shihja veten, të ardhmen e shihja aty. Të gjithë më pyesnin se pse e përfundove karrierën në futboll, por të them të drejtën, futsalli më fle në zemër”, thotë Zhubi.

Zhubi karrierën profesioniste në futboll e përfundoi në vitin 2017. Ka luajtur në disa ekipe në Suedi e Norvegji, por kohën më të mirë të karrierës së tij si futbollist e kaloi te skuadra Atvidaberg FF.

Me këtë skuadër ai i zhvilloi 36 ndeshje në Allsvenskan, që është elita e futbollit suedez. I realizoi tri gola dhe pati një asistim.