Sport

Llapi firmos me futbollist libanez

Descriptive Text

Në futbollin kosovar ka bërë vend edhe një lojtar libanez. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të majtë, Amir Hossari. 27-vjeçari, që ka edhe shtetësi belge, ka firmosur të premten me Llapin. Sipas njoftimit të klubit nga Podujeva, palët kanë kompletuar dokumentacionin dhe kanë nënshkruar kontratë bashkëpunimi të vlefshme deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Sipas njoftimit të Llapit, Hossari luan në tri pozita të ndryshme dhe së fundi është paraqitur në skuadrën elitare të Libanit, Shabab Bourj.

“Superligën e Kosovës e kam shikuar vazhdimisht dhe kur erdhi oferta nga një klub i organizuar dhe serioz si Llapi, pa hezitim e pranova. Jam i lumtur që sot jam këtu”, ka thënë Hossari për faqen zyrtare të Llapit.

“Do të jap maksimumin për klubin që pretendon pozitë të lartë në kampionat dhe të siguroj plasman sa më të lartë në Kupë. Jam njoftuar me ambientin, stafin teknik dhe lojtarët”, ka shtuar Hossari. Ai do të mbaj fanellën me numrin 3.

Lojtari i ri i Llapit ka bërë karrierë te disa skuadra belge dhe te Al-Ansar e Al-Nejmeh në Liban.