Sport

Skuadrat të gatshme për Superkupën e Spanjës me gjithë kaosin në udhëtim

Kur Federata e Futbollit e Spanjës nënshkroi një marrëveshje fitimprurëse në vitin 2019 për të bartur Superkupën e saj të riformatuar në Arabinë Saudite, nuk e ka pasur idenë që ndeshjet do të luheshin në stadiume të zbrazëta në Spanjën jugore dhe skuadrat e lodhura do të përballen me reshjet rekorde të borës për të arritur me kohë në stadium.

Mini-turneu i Superkupës nis të mërkurën në kohë kufizimesh për shkak të koronavirusit. Shteti i detyroi organizatorët të rishikojnë planet e tyre fillestare për faktin se gara duhet t’i përshtatet motit që kohët e fundit është i paparashikueshëm.

Barcelona përballet me Real Sociedadin të mërkurën në Cordoba, ndërsa Real Madridi luan kundër Athletic Bilbaos në Malaga të enjten. Përgatitjet e dy skuadrave të fundit u ndërprenë nga stuhia e dëborës, që në fundjavë paralizoi pjesë të mëdha të Spanjës.

Reali ka udhëtuar në Malaga direkt nga qyteti verior i Pamplonas, ​​ku skuadra kaloi tri net. Kaosi në aeroportin “Barajas” të Madridit shkaktoi vonesa të mëdha në udhëtimin e skuadrës për ndeshjen ndaj Osasunas, e cila përfundoi pa gola dhe u zhvillua në kuadër të La Ligas. Në fakt, skuadra e Realit nëse fiton në gjysmëfinale ndaj Bilbaos, do të duhet të qëndrojë në Malaga edhe për disa ditë. Finalja do të luhet në qytetin e Sevillas, të dielën (17 janar).

“Ka gjasa që të jemi të detyruar të qëndrojmë në Malaga dhe pastaj prej aty të udhëtojmë drejt Sevillas për ndeshjen finale. Ditët e fundit ishin një kaos i vërtetë për ne si pasojë e situatës me motin”, ka pranuar trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane.

Nëpër një situatë të ngjashme kanë kaluar edhe futbollistët e Bilbaos. Ndeshja e Bilbaos, që është dashur ta luajë në udhëtim kundër Atletico Madridit, u shty ndonëse ekipi u nis drejt kryeqytetit të Spanjës. Aeroplani i Bilbaos nuk ishte në gjendje të ulej në aeroport për shkak të reshjeve të dendura dhe u kthye prapa.

Real Madridi e fitoi edicionin 2020 të Superkupës së Spanjës në Jeddah të Arabisë Saudite duke e mposhtur Atletico Madridin në finale pas penalltive. Megjithatë, në garën e këtij edicioni, Reali do të futet i lodhur nga udhëtimet dhe me zemërimin ndaj organizatorit të ligës që nuk anuloi ndeshjen kundër Osasunas.

“Ne pritëm për gati katër orë në aeroport për t’u nisur drejt Pamplonas për shkak të stuhisë. Ndeshja është dashur të anulohet, por nuk ndodhi një gjë e tillë. Tani ka disa ditë që jemi në udhëtim dhe kjo është një lodhje e madhe për ekipin”, shtoi Zidane.

Barcelona duket se do të jetë në formën më të mirë prej katër ekipeve pjesëmarrëse në Superkupë pasi mposhti Granadan (4:0) të shtunën e shkuar, me Lionel Messin që ndihmoi edhe Antoine Griezmannin e Ousmane Dembelen për të shënuar. Athletic Bilbao, që fitoi Superkupën e Spanjës në vitin 2015, do të shpresojë të shohë ndikimin e metodave të trajnerit të ri, Marcelino, që humbi ndeshjen e tij të parë me ekipin, kundër Barcelonës (3:2) javën e kaluar.

“Shpresoj të paktën të arrijmë në finale të Superkupës së Spanjës, ndonëse duhet të kalojmë Real Madridin në gjysmëfinale”, është shprehur Marcelino.

Real Sociedadi po luan në garë për herë të parë që nga viti 1982 dhe aspak nuk është në formë të mirë pasi e ka fituar vetëm një nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Superkupa tradicionalisht vendosej midis fituesit të La Ligas dhe fituesit të Kupës së Spanjës, në muajin gusht. Mirëpo, presidenti i federatës spanjolle Luis Rubiales e zgjeroi këtë turne në katër skuadra në vitin 2019 për të rritur tërheqjen globale. Reali dhe Barça janë kualifikuar si kampion dhe nënkampion të La Ligas ndërsa Bilbao dhe Sociedadi janë finalistë të Kupës së vitit 2020, ndeshje kjo që është shtyrë për në prill të këtij viti për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në vitin 2019 federata spanjolle nënshkroi një marrëveshje trevjeçare për të luajtur garën e Superkupës në Arabinë Saudite, duke përfituar zyrtarisht 120 milionë euro, por duke u përballur me kritika për shkak të raporteve për shkelje të të drejtave të njeriut në këtë vend. Rubiales ka thënë se federata do të rinegociojë marrëveshjen për shkak të telasheve të shkaktuara nga pandemia që pushtoi Evropën prej marsit të vitit të shkuar. \ Reuters