Sport

Danilo, Ramsey dhe Ronaldo shënuan për fitoren e Juventusit

Golat nga Cristiano Ronaldo dhe uellsiani Aaron Ramsey, ndihmuan Juventusin ta sigurojë fitoren 3:1 ndaj Sassuolos. Të dielën në mbrëmje, Juventusi u ngjit në vendin e katërt në renditje, teksa Sassuolo prej fundit të pjesës së parë luajti me një futbollist më pak në fushë për shkak se Pedro Obiang u ndëshkua direkt me karton të kuq. Ai bëri ndërhyrje të ashpër në Federico Chiesan.

Pas rasteve të shumta që i pati në pjesën e parë, Juventusi e shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë dhe realizoi gol në minutën e 50-të.

Tetë minuta më vonë, ishte Gregoire Defrel që i barazoi shifrat.

Ramsey, i cili nuk e ka të sigurt vendin e titullarit te “zonja e vjetër”, i dha sërish avantazhin vendësve në minutën e 82-të, me golin e parë personal të sezonit.

Ndërkohë, portugezi Ronaldo shkoi në kuotën e 15 golave të shënuar sivjet në ligë, në minutën e dytë të kohës shtesë.

Kjo fitore ndihmon “bianconerët” që të jenë vetëm shtatë pikë larg liderit, Milanit, por e ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Sassuolo mbetet në vendin e shtatë me 29 pikë pas 17 xhirove.