Sport

Rahoveci nisi me synime të vogla, por është i pari pas stinorit vjeshtor

Descriptive Text

Bilanci prej 11 fitoreve e tri humbjeve ia ka siguruar Rahovecit vendin e parë në tabelën e Superligës së Kosovës në basketboll, pas pjesës së parë të kampionatit, përkatësisht pas stinorit vjeshtor.

Stinori vjeshtor ka përfunduar të dielën, kur u luajtën ndeshjet e xhiros së 14-të. Rahoveci të shtunën fitoi derbin me Golden Eagle Yllin (92:86) dhe siguroi vendin e parë me 25 pikë. Prapa e la Ponte Prizrenin me 24 pikë dhe Pejën me 23 pikë.

Vendi i parë është dukur thuajse i pamundur pas telasheve që u shfaqën te Rahoveci në fund të verës. Më 28 gusht kryesia e klubit dha dorëheqje për shkak të telasheve financiare, duke e fajësuar Komunën për mosndarje të parave të zotuara. Për disa javë ka pasur shumë dilema lidhur me të ardhmen e Rahovecit. Madje ishte raportuar edhe për largim të mundshëm nga garat. Por më 22 shtator u mbajt një tjetër kuvend i punës ku u zgjodh Bordi i ri që drejtohet nga Alban Rama.

Menjëherë u konfirmua Bujar Loci në pozitën e trajnerit dhe ai në vjeshtë e udhëhoqi skuadrën drejt vendit të parë, pas një gare të barabartë e plotësisht të hapur.

Rahoveci nisi me angazhimin e vendorëve jo shumë të njohur, ndërsa më 29 shtator u konfirmua edhe Alban Veseli, njëri prej lojtarëve kryesorë. Klubi shpejt u kompletua edhe me të huaj dhe ndonëse përgatitjet nisën me vonesë, rezultatet nuk munguan. Rahoveci tani është në vend të parë dhe me gjasa reale për të luftuar për trofe.

Isiah Traylor, Amadi Ikpeze, Marvin Jones e Alban Veseli kanë udhëhequr Rahovecin në 14 xhirot e deritashme. Mbajtja e tre të huajve prej fillimit mund të jetë prej sekreteve të Rahovecit. Ata kanë shfaqur shumë cilësi deri më tani.

“Mendoj që puna dhe angazhimi i lojtarëve dhe i kryesisë së klubit ka sjellë këto rezultate. Natyrisht që jemi të kënaqur që jemi në vend të parë dhe shpresojmë të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka thënë trajneri i Rahovecit, Bujar Loci, të dielën për KOHËN.

“Varet edhe nga financat se cilat do të jenë synimet për të ardhmen. Por ne do të vazhdojmë me punë të madhe dhe do të marrim ndeshjet një nga një. Kemi shfaqur vlera në pjesën e deritashme të stinorit dhe vendi i parë e dëshmon këtë. Të gjithë në klub kanë dhënë kontribut, lojtarët e kryesia”, ka shtuar Loci, që si zakonisht nuk i merr meritat për vete.

Rahoveci në vitet e fundit ka qenë skuadra më e përkrahur nga tifozët. Palestrën e kishte të mbushur përplot. Por ndeshjet aktualisht luhen pa tifozë dhe përkrahja e “vreshtarëve” u ka munguar lojtarëve në palestër.

Edhe klubi i ka vlerësuar lojtarët si më meritorët për suksesin.

“Krerët e klubit dhanë maksimumin brenda mundësive, stafi teknik gjithashtu, duke mos harruar as tifozët, që çdo ditë rrugëve të qytetit na motivuan në mënyrat e tyre elegante”, ka shkruar Rahoveci.

Synim i skuadrës me pak vjet përvojë në Superligë është titulli i kampionit.