Sport

Podrimaj, mesfushori që la familjen si fëmijë për të ndjekur ëndrrën

Adem Podrimaj ka sakrifikuar shumë për ta ndjekur ëndrrën që të bëhet futbollist. Mban në mend kohën e kaluar si fëmijë, kurse veten e përshkruan si të plotë, jo me fizik të një futbollisti. Megjithatë, ai në mendje kishte vetëm një synim – të arrijë diçka në futboll.

Podrimaj tani është 18-vjeçar, por në një rrëfim për “KOHËN”, ka kthyer kokën prapa. Ka treguar për vështirësitë me të cilat është përballur gjatë rrugës për të arritur te të rinjtë e Hannoverit, ku është tani.

“Kam filluar të luajë futboll si 6-vjeçar në Austri te klubi TSV Hartberg, ku i kam marrë hapat e parë. Pas dy vjetëve, me familje jemi shpërngulur në Vjenë dhe jam inkuadruar te First Vienna FC 1894. Kemi pasur shumë sukses, kemi mposhtur çdo ekip dhe pas tri vjetësh, në moshën 9-vjeçare e pata mundësinë të shkoja te FK Austria e Vjenës”, thotë Podrimaj.

Ai te kjo skuadër qëndroi dy vjet, por në vitin e dytë hasi në vështirësi dhe filloj të mendoj se në Austri nuk ka të ardhme. I ka pëlqyer gjithmonë futbolli gjerman, i cili edhe ndryshoi gjithçka në jetën e tij. Podrimaj mori një vendim që nuk kishte menduar se do ta marrë ndonjëherë. E këtë vendim të tij në moshë shumë të re, e përkrahën edhe prindërit e tij.

“Babai më tha se mund të shkoj, edhe pse nuk i kisha mbushur ende 11 vjet. Nëse nuk do ta shfrytëzoja atë mundësi, nuk do të mund të lëvizja deri në moshën 18-vjeçare. Ashtu është me rregullore në Gjermani dhe nuk doja të qëndroja në Austri deri në atë moshë”, thotë Podrimaj që shkoi në Gjermani i vetëm.

Atje, ai iu bashkua një kampi ndërkombëtar të talenteve “Deutsches Fussball Internat” prej të cilit kanë dalë Karim Adeyemi (Salzburg) e Flavius Daniliuc (Nice). Ndërsa, Podrimaj me dëshirë do të bëhej pjesë e Real Madridit.

“Kam qëndruar katër vjet në atë kamp dhe ishin rreth 80 lojtarë prej moshës 11 deri në 19 vjet. Ishte vështirë për mua sepse nuk e njihja Gjermaninë fare kurse kisha shkuar ta mësoja futbollin gjerman”, tha Podrimaj që kishte emocione kur u nda nga prindërit për të ndjekur ëndrrën. “U thashë që mos të frikësohen sepse atje po shkoja për të luajtur futboll dhe ata më inkurajuan që ëndrrën ta bëja realitet”.

Megjithatë, fillimi në ambientin e ri ishte i vështirë për të. Thotë se nuk ishte mirë i përgatitur dhe paska i plotë në trup. Mirëpo, gjithçka ndryshoi brenda një kohe.

“Dy vitet e para ishte të vështira por me stërvitje nga dy herë në ditë, ndryshova tërësisht. Luanim ndaj ekipeve të forta nëpër turne dhe në dy vjetët e fundit isha kapiten i ekipit”, kujton Podrimaj që bëri hapin tjetër. “I kalova provat te Hannoveri dhe tashmë jam në vitin e tretë te ky ekip”.

Dëshira e tij është që sa më shpejtë të inkuadrohet në ekipin e parë. Në vitin e dytë te Hannoveri, ka luajtur me grupmoshën U17 duke shënuar dy gola dhe asistuar po aq herë në 19 ndeshje. Ndërsa, tani është pjesë e ekipit U19 dhe ka dy ndeshje të luajtura. Podrimaj është me prejardhje nga Kosova, babanë e ka nga Istogu e nënën nga Prishtina. Ai te të rinjtë e Hannoverit luan edhe me dy shqiptarë tjerë, Diar Hajrulahin dhe Ramen Çepellen, me të cilët ka raporte të mira. Çepelle së fundi debutoi me ekipin A të Shqipërisë kurse Podrimaj shpreson ta përfaqësoj Kosovën. Ai ka një ndeshje me U17 të Austrisë.

“Dua të luajë për Kosovën pasi prindërit i kam nga Kosova. Për Hannoverin dhe Kosovën dua të jap gjithmonë 100 për qind nga vetja”, theksoi Podrimaj.